Kur nuk mundën të pengojnë ardhjen e një nacionalisti serb në Qeveri, atëherë vaj halli për ta në periudhën që pason
(Editorial i portalit indeks.mk)
Nga të gjitha dyshimet për qeverinë dhe koalicionin e ardhshëm, enigma më e madhe mbetet një emër: Ivan Stoilkoviq.
Të merremi vesh, nuk kemi asnjë paragjykim pse ai është serb, sepse s’ka pse të kemi paragjykim ndaj cilitdo qytetar të vendit tonë. Madje as pse në këtë qeveri, ai vjen në një pozicion ku ka qenë një shqiptar edhe pse ka shumëçka të thuhet për pse-në që ai vjen aty.
Mirëpo, që të mos ketë shumë mistere në “enigmën” Stoilkoviq, është përkujdesur vetë ai. Dhe atë në shumë dimensione.
Fakti që një ministër i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, anëtare e NATO-s dhe pretendente për BE, mohon gjenocidin e Srebrenicës, është problem jo për shqiptarët, por për Mickoskin.
Nëse ai vetë ndryshe nga ç’e akuzojnë se ka orientim tjetër nuk e vë në pikëpyetje orientimin gjeostrategjik të vendit, atëherë e demanton veten me përfshirjen e Stoilkoviqit në qeveri!
Një Stolikoviq që nuk ka parë krime lufte në rastin e Srebrenicës, nuk mund të ulet në një qeveri të vendit e cila e ka përkrahur rezolutën e para pak kohësh për gjenocidin.
Për faktet tjera që janë në këtë linjë të profilit të Stoilkoviqit, që atë e bëjnë pjesë të “botës serbe” që është një projekt supernacionalist e supershovnist që mund ta rrezikojë edhe Maqedoninë(apo jo, nacionalistët serbë prej kohësh pretendojnë se në Maqedoni jetojnë mbi 200-300 mijë serbë!), edhe më shumë e rëndojnë Mickovskin, i cili për arsyet që ai i di, disa edhe mund të supozohen lehtë, është dashur ta përfshijë një profil të tillë.
Kjo i ngjan shumë “modelit” malazez të qeverisë më të re, ku të tillët si Stoilkoviqi kanë marrë pozicione kyç dhe rrezikojnë ta kthejnë mbrapa vendin e tyre.
Nëse nga ç’u tha më lartë i përket Mickoskit, të tjera i përkasin VLEN-it.
Si psh.deklaratat e Stoilkoviqit që u cituan këto ditë e që i ka pasë dhënë për çështjen e Kosovës. Madje dhe për terroristët e Banjskës, si heronj të popullit serb.(Kjo duhet ta shtyjë të mendojë pak edhe Albin Kurtin, i cili ka kohë që i ka futur veshët nën “shubarë”!)
Me ardhjen e Stoilkoviqit në vend të Artan Grubit, shpërfaqet qëllimi me prapavijë të rëndë i vetë Mickoskit kundrejt VLEN-it.
Askush nuk e kuptoi seriozisht, ose edhe e kuptoi, po s’kishin si kundërvihen kur mandatari tha se gjithkush do ta ketë pozitën sipas forcës politike të arritur në zgjedhje.
Me gjitha ndihmesat që iu dha, VLEN-i nuk arriti më shumë se 14 deputetë, ndaj dhe tash, në vend se ta udhëheqë një shqiptar “ministrinë e Artanit”, ia ka lënë Stoilkoviqit, i cili me gojën plot tha se atje “do të ndryshojnë gjërat”. Do të ndryshojnë, vërtet, por a për të mirë, a për të keq?
Stoilkoviqi, njësoj si mediat me orientim antishqiptar, theksojnë fakte që ia mveshin BDI-së si meritë(me thonjëza ose pa thonjëza), siç është, sipas tyre, “shqiptarizimi” i administratës. Edhe i Ministrisë së Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve midis Bashkësive. Dhe ku do të na bëjë ndryshimet që veçmë i paralajmëroi Stoilkoviqi? Në ndryshimin e strukturës etnike të ministrisë që paska 470 të punësuar, prej të cilëve 95 për qind shqiptarë!
Harrohen me këtë rast gjërat që kanë të bëjnë me këtë “strukturë”, e edhe “rëndësinë” e këtij numri karshi tërësisë(numrit të përgjithshëm të të punësuarve të administratës)
Sepse, punësimet që janë bërë në këtë ministri, nuk janë bërë për të futur kuadro shqiptare në të, por për të siguruar kuadro për gjithë administratën sipas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Kritikuesit harrojnë se pikërisht falë kësaj Ministrie është “ulur” numri i shqiptarëve në të, sepse në listë kanë qenë mbi 2000 të punësuar të viteve të mëparshme dhe pikërisht falë angazhimeve të Artan Grubit, ata janë shpërndarë në shumë institucione. Kjo është bërë me shumë impenjim, sepse ka pasur edhe institucione ku nuk i kanë dashur këto kuadro!!!
Nga këta 470 kuadro që kanë mbetur në këtë ministri, mbi 200 tashmë janë në proces të transferit në institucione tjera dhe ajo që do të shpresonim që ta bëjë ministri i ardhshëm Stoilkoviq, të mos i bëjë obstruksione këtij procesi.
Por, VLEN-i, që nuk mundi ta marrë këtë ministri, zor se do të mund ta kontrollojë jo ndryshimin e strukturës etnike të Ministrisë, sepse kjo nuk është aq e rëndësishme kundrejt tërësisë: mos vallë Stoilkoviqi dhe Mickoski përmes tij, duan të realizojnë qëllimin e “korrigjimit” të përfaqësimit të shqiptarëve në bazë të Marrëveshjes së Ohrit në gjithë administratën shtetërore?!
Kemi shkruar edhe më parë, në VMRO dhe jashtë saj, pra, edhe te subjekte si kjo që përfaqëson ministri Stoilkoviq, nuk i besojnë statistikës sipas së cilës në Maqedoni ka rreth 30 përqind shqiptarë në popullsinë e përgjithme ose 25 për qind në popullsinë rezidente? Ata kaherë manipulojnë me përqindje nën 20 dhe si përfaqësim “adekuat” do ta konsideronin ndoshta pjesëmarrjen me rreth 15 për qind! Dhe këtu duan ta korrigjojnë arritjen kapitale të BDI-së!
VLEN-i ia nënshtroi gjithçka “ndryshimit”, por ndryshimet që po paralajmërohen nuk duket se do t’u sjellin të mira shqiptarëve. Nëse s’u sjellin të mira shqiptarëve, për të cilat e bënë gjithë këtë betejë me të gjitha mënyrat, atëherë çfarë dobie do t’i sjellin VLEN-it?!
Kur nuk mundën të pengojnë ardhjen e një nacionalisti serb në Qeveri, atëherë vaj halli për ta në periudhën që pason kur shumë procese do të jenë larg syve dhe kontrollit të tyre.