Emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq në Beograd në orët e sotme të pasdites.

Përmes një postimi të shkurtër në X, Lajçaku tha se me Vuçiqin pati një diskutim të hapur rreth dialogut me Kosovën.

“U pajtuam për hapat e radhës në periudhën e ardhshme”, shkroi Lajçaku, raporton Klankosova.

Ndërkaq, për takimin njoftoi edhe vetë presidenti i Serbisë, i cili tha se me Lajçakun bisedoi për situatën në Kosovë dhe, siç u shpreh, “për kushtet pothuajse të pamundura për jetën e popullatës serbe, të shkaktuara nga presioni dhe arbitrariteti i vazhdueshëm i autoriteteve në Prishtinë”.

“E ritheksova se kthimi në dialog konstruktiv ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe normalizimi i marrëdhënieve qëndron para së gjithash në zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, gjegjësisht në formimin urgjent” të Asociacionit, u shpreh Vuçiqi në një postim në profilin e tij në Instagram.

Gjatë ditës së djeshme, Lajçaku qëndroi edhe në Kosovë, ku mes tjerash zhvilloi një takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Pas takimit, Lajçaku në një konferencë për media tha mes tjerash se është për heqjen e masave të vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës.