Vivek Murthy, kreu i Korpusit të Shërbimit të Shëndetit Publik të Shteteve të Bashkuara, ka bërë thirrje që mediat sociale të miratojnë etiketa paralajmëruese për të informuar përdoruesit se përdorimi i këtyrë aplikacioneve mund të dëmtojë shëndetin mendor të adoleshentëve.


Në një shkrim të botuar në Neë York Times, Murthy bëri thirrje që të vendoset një etiketë e ngjashme me ato që shfaqen në paketat e cigareve ose alkoolit për platformat, duke i kërkuar Kongresit të veprojë.

“Është koha që të kërkohet një etiketë paralajmëruese në platformat e mediave sociale që deklaron se mediat sociale shoqërohen me dëmtime të konsiderueshme për shëndetin mendor të adoleshentëve”, shkroi shefi i shëndetit publik në SHBA në editorialin e tij.

“Etiketa paralajmëruese do t’u kujtonte rregullisht prindërve dhe adoleshentëve se media sociale nuk është provuar të jetë e sigurt,” shtoi ai.

Rreziku i depresionit dyfishohet

Në editorialin e tij, Murthy i referohet një studimi të Shoqatës Mjekësore Amerikane të botuar në revistën Jama , sipas të cilit, për adoleshentët që kalojnë tre orë në ditë në mediat sociale rreziku i depresionit dyfishohet.

Etiketat paralajmëruese në paketat e cigareve, të krijuara në vitin 1965, kanë çuar në një rënie të vazhdueshme të konsumit të cigareve në SHBA gjatë dekadave të fundit.