AGK: Të ndalen sulmet brutale të Vetëvendosjes ndaj Periskopit dhe Nacionales, gjuha linçuese po i vë në rrezik gazetarët

Sulmet, fyerjet dhe linçimet e zyrtarëve të partisë në pushtet, Vetëvendosje kanë vazhduar me intensitet edhe ditën e enjte.
Kështu kanë thënë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) përmes një reagimi në rrjetin social në Facebook.
Ata po ashtu kanë thënë se disa asamblist dhe aktivist të LVV-së janë duke përdorë gjuhë denigruese dhe linçuese.
“Një asamblist i kësaj partie në Prizren, Selman Sokoli, duke iu referuar gazetarëve të Nacionales dhe Periskopit, ka shkruar ‘këta i paskan dresiratë si zagartë’.
Fahri Beqa, i Lëvizjes Vetëvendosje në Gjermani, ka shkruar në Facebook: ‘Radojçiqi e Vuçiçi të dhanë paratë’, duke iu referuar një lajmi për Ilir Mirenën – drejtues i portalit ‘Periskopi’.
Qëndrim Krasniqi, i Lëvizjes Vetëvendosje në Britani të Madhe ka shkruar se: ‘portalet po e sulmojnë RTK-në në kor’, me urdhër të Radojçiqit”, kanë shkruar nga AGK.
Tutje ata thanë se kjo gjuhë denigruese dhe linçuese, po i vë seriozisht në rrezik të gjithë gazetarët që punojnë në këto dy media, dhe është koha e fundit që Vetëvendosje dhe njerëzit e saj të ndalën nga kjo praktikë e rrezikshme dhe papranueshme.
Një shkrim i portalit nga Sarajeva “Slobodna Bosna” për planet e supozuara të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në rajon dhe gjoja kontrollin e dy portaleve kosovare nga pushteti i Vuçiqit, shkaktoi reagime të shumta nga gazetarët, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, partitë opozitare dhe ekspertët e mediave.
Transmetuesi publik ka publikuar të hënën në faqen online një shkrim të përkthyer nga gazeta boshnjake “Slobodna Bosna”, që bazohet në burime dhe në deklaratat e një individi kontrovers, ku sulmohen dy mediume të Kosovës, duke u pretenduar se janë në kontroll të Serbisë dhe Aleksandar Vuçiqit. Bëhet fjalë për gazetën “Nacionale” dhe “Periskopin”. Ky shkrim është transmetuar edhe në formë mbulimi në edicionin qendror të lajmeve në RTK.
Shkrimi i gazetës boshnjake i publikuar në RTK të hënën, është shpërndarë me të madhe nga disa deputetë të Vetëvendosjes.
Në lajmin që u publikua në RTK reaguan edhe vetë gazetarët e redaktorët e RTK-së, duke u distancuar.