APOTHEOZA E QEVERISË
Muhamed Halili
I lexoj dhe rilexoj me kujdes disa fragmente nga libri “Maqedonia” të Alice Ackerman dhe befasohem dhe mbetem i habitur se sa kanë ndryshuar kohërat dhe botëkuptimet politike ndër ne shqiptarët në Maqedoni. Dhe sa herë i lexoj dhe rilexoj ato shkrimе edhe kur e krahasoj realitetin e sotëm politik dhe veprimet e disa politikanëve të sodit, një thënie e Tomas Hobbes, një filozofi të famshëm anglez shkruar në veprën e tij “Leviatan” (1651) më vërvitet në mendje dhe më duket se është realiteti ynë i sotëm politik shqiptar.
“Qeniet njerëzore, shkruan Hobbes, në esencë janë egoiste, të cilat poqese nuk pengohen nga ligji, kërkojnë t’i përparojnë interesat e tyre në kurrriz të shoqërisë njerëzore”. Politikanët shqiptarë që nga fillimi i pluralizmit në Maqedoni përveç betejave politike në parlament bënë beteja politike edhe në arenën ndërkombëtare në funksion të promovimit të platformave politike për barazi të plotë të shqiptarëve në këtë vend. “Involvimi i liderëve etnik shqiptarë me aktorët ndërkombëtarë nuk fillon me arritjen e Grupit punues në Maqedoni. Në janar të vitit 1992, liderët etnik politik shqiptarë siç ishte edhe Nevzat Halili nga PPD-ja iu afruan Konferencës së Hagës që ta tërhjekin vëmendjen për problemet e shqiptarëve në Maqedoni, dhe mundësisht, të fitojnë mbështetje ndërkombëtare për kauzën e tyre”.
Kjo datë e shkruar nga Ackerman, ma rikujton vetëm një epizodë politike, ndër të shumtat kur bashkë me delegacionin kosovar të njerëzve me autoritet të lartë politik dhe të dijes si prof. Fehmi Agani,, prof Zejnulla Gruda, profesor Esat Stavileci dhe akademikë tjerë të njohur, në seanca të ndara Konferencës së Hagës ia parashtruam kërkesat tona politike për status special në Maqedoni (asokohe ishte në modë), për barazi gjuhësore e institucionale, për përfaqsim proporcional në administratën shtetërore.
Kosovarët nga ana e tyre, në seancë të ndarë parashtruan kërkesën për Kosovën republikë dhe Kosovën shtet i pavarur.si alternativë.
Por kështu dhe ngjajshëm vepruan edhe shumë të tjerë. PDP-ja minore, shkruan Ackerman, ka dërguar një Memorandum ku ka kërkuar federalizim të shtetit dhe shtet binacional.
Më vonë zoti Aliti qeveritar sëbashku me zotin Xhaferi opozitar i shkruan një letër të ngjajshme presidentit amerikan Bill Klinton. Zoti Xhaferi një kohë të gjatë u angazhua për dialogun historik shqiptaro-maqedonas ku njëherë e përgjithmonë do të përcaktohej mënyra e jetesës së përbashkët e të dy etnikumeve kryesore në bazë të barazisë së plotë nacionale.
Sigurisht se të gjitha këto kërkesa dolën drejtpërsëdrejti ose tërthorazi nga Deklarata për barazi të shqiptarëve në Maqedoni, dërguar Parlamentit të Maqedonisë në vitin 1991 hartuar nga Grupi parlamentar PPD-PDP.Dhe, këto janë betejat e atëhershme kur për çështjet madhore kombëtare shqiptarët qeveritarë dhe shqiptarët opozitarë ishin bashkë.
Sot, politikanët shqiptarë sërish shkruajnë letra si dikur por me tone tjera, me kërkesa tjera.Shkruajtën dhe shkruajnë Aliu dhe Bujari. I shkruajtën Amerikës dhe Evropës, Këshillit të Evropës. i shkruajti Bujari edhe OSBE-së që vetë e kryesonte si President evropian dhe kryetar i gjysmës së botës dhe si politikan i cili përkundër politikës së përbashkët evropiane këtu në Shkupin multinacional ku edhe 3 mijë bullgarë do të jenë baras sa ne shqiptarët, ia shtërngoi dorën rusit Lavrov dhe më vonë krijoi frontin antirus, alias Frontin evropian.
Por brendia e letrave të Aliut dhe Bujarit nuk ishte më si dikur, brendi e ëndrrave tona popullore. Në ato letra nuk kërkohet barazia popullore por kërkohet qeveria!
Dhe, më duket se problemi kryesor i politikanëve shqiptarë mbetet te apotheoza e qeverisë. Pyetja kryesore do të ishte si e kuptojnë ata demokracinë? Athua e kuptojnë si një “hurra” të përsëritur gjithnjë nga politikanët, por të xhveshur pak nga substanca, siç shkruan Andrew Heywood në librin “Teoria politike”; athua e kuptojnë si në kuptimin e fjalës greke “kratos” si “fuqi” ose “sundim” ose si “sundim i popullit” nga ana e popullit dhe për popullin” siç është shprehur Abraham Linkoln. “Sundimi i popullit, shkruan Heywood, “bazohet në idenë se populli merr pjesë në qeverisje, do të thotë vetëqeverisë”. E dyta “qeverisje për popullin” lidhet me nocionin e interesit publik dhe nga ideja se populli përfiton nga qeverisja pa marrur parasyshë a qeverisë apo jo ai.
Cilës qeverisje i takoi qeverisja e BDI-së katër vitet e fundit? A përfitoi populli dhe sa përfitoi populli nga ajo qeverisje si interes publik apo interesi personal mbisundoi ndaj atij publik. Çka ndodhi që shoku im Rafiz Aliti dhe deputeti Fazli Veliu- Daja votuan kundër amandamentit të bashkëpartiakut të tyre për kompenzimin e shpenzimeve të rrugës në nivel të biletave të autobusit për administratorët që punojnë larg vendbanimit të tyre. Atëherë Rafizi më tha se të gjithë shqiptarët duhet të shkojnë të jetojnë në Shkup. Ta shesin një shtëpi në Tetovë e Kumanovë dhe të blejnë një dhomë të vogël në Shkup! Dy dekada më vonë shqiptarët në vend që të shesin shtëpitë e tyre e të shkojnë në Shkup, do t’i lënë vendet e punës në Shkup e jetojnë në fshatrat e Tetovës e Kumanovës se nuk kanë të holla t’i paguajnë biletat e autobusit për të shkuar në punë në Shkup. Pse interesi personal mbisundoi ndaj atij publik, i grupit më të madh të njerëzve, sipas Heywood, duhet të përgjigjen popullit shqiptarët e pushtetit e shtetit, ata të qeverisë.
Komandantët kur ishin në luftë populli i ushqeu me mish qengji dhe sheqerpare sepse ata i thonin popullit se luftojnë për bashkimin e trojeve shqiptare. Më vonë nuk doli ashtu dhe ndroi fjala. Ata paskan luftuar për të drejtën e xhepit të tyre.
Kur komandantët ( jo të gjithë) u bënë deputetë bijve të popullit kryengritës ua morrën copën e bukës : atyre Iu dukë shumë rëndë ta ngrenë dorën për të drejtat e administratorëve.
Elementi “demokratik” në demokracinë liberale është ideja e vullnetit të popullit e shprehur në praktikë me aktin e votimit.
Demokracia liberale është formë e demokracisë elektorale, e cila në zgjedhjet popullore shihet si i vetmi burim i autoritetit politik. Kjo zgjedhje duhet të respektojë principin e barazisë politike; ajo duhet te bazohet në zgjedhjet e përgjithëshme dhe në bazë të parimit “një person, një votë”. Për këto arsye çdo sistem i cili i kufizon të drejtat zgjedhore në bazë të gjinisë, racës, religjionit, gjendjes ekonomike dhe kështu me rradhë bie nga provimi i demokracisë.. Në fund që të jenë krejt demokratike zgjedhjet duhet të jenë të rregullta, të hapta dhe mbi të gjitha kompetitive, shkruan Heywood.
ÇDOTË THOTË TË JESHË PËRFAQSUES?
Një problem tjetër yni është ai i përfaqësimit. Të jeshë përfaqsues, shkruan Heywood, do të thotë të nxirresh nga grupi i posaçëm dhe t’i keshë të njejtat karakteristika. “Qeveria representative mund te jete nje mikrokosmë e shoqërisë me te gjërë, e cila përmban anëtare të nxjerrur nga të gjitha grupet dhe segmentet e shoqërisë, në kuptimin e klasave sociale, gjinisë, religjionit, etnikumit, moshës dhe kështu me rradhë dhe në numër proporcional të pranisë se tyre në shoqëri dhe më gjërë”, thotë ai.
Poqese këtë konstatim e marrim si kriter atëherë nuk ka asnjë dilemë se në një shtet të definuar si unitar përfaqsimit të shqiptarëve në qeveri nga ana e “VLEN nuk mund t’i gjehet mangësi tjetër pos anës proporcionale të pranisë në qeveri poqese ajo nuk përmbushet deri në konstituimin e plotë të qeverisë.
Ato grupe që përkatësinë kombëtare e ngrejnë në nivel të profesionit, siç me të drejtë konstaton edhe një miku im, e bëjnë me qëllim që interesin individual ta vënë mbi atë publik.
Liderët shqiptarë të qeverive të shkuara në kupë të kresë bërtasin se “VLEN” ose ndonjë parti tjetër nuk e ka vendin në qeveri sepse aty jemi ne. Ne jemi aty sepse bashkësia ndërkombëtare na urdhëroi të hyjmë në qeveri, të hyjmë në Europë ashtu siç bashkë me Zaevin krejt shqiptarët toptan para shtate vitesh dolën në referendum për të “ hynë” në NATO.
Nëse kriter të shumicës dhe përfaqsimin e populit e marrim teorinë e politikanit frëng A.dë Tokvil (1805) 51% atëherë asnjë parti politike shqiptare nuk ka të drejtë të pretendojë se është përfaqsuese e popullit dhe popullin ta konsiderojë si “pronë të tij” siç tenton ta bëjë Fronti evropian me 7.5% të votave të përgjithëshme sepse pjesa më e madhe e popullatës shqiptare .
Vendet me sisteme pluralistike elektorale shkruan Heywood, kanë shpesh probleme se qeverinë e formojnë në bazë te pluralitetit të votuesve se sa në pluralitetin e përgjithshëm te zgjedhësve. Për shembull Bil Klintoni u zgjodh president i SHBA-ve ne baze te 43% te votes se popullit, dhe ne vitin 2001 qeveria e Blerit ne Mbretërinë e Bashkuar mori shumice ne Dhomën e përfaqsuesve me 167 vende me gjithsejt 41 perqind te votave… Kur me tepër vota e kundërshtojnë qeverinë e zgjedhur ose administratën se sa e përkrahin ate, sinqerisht më duket absurde të thuhet se ajo qeveri e ka mandatin e popullit, përfundon ai.
Misër, misër, misër ngarendnin shqiptarët me një thesë të varur në shpinë. Në shekullin 20 nuk ka apotheozë perëndish por apotheozë misri, shkruante dikur poeti i mjerimit Migjeni. Por ajo ishte legjenda e misrit, kurse kjo e sodit, një shekull më vonë, legjenda e qeverisë.
Qeveri, qeveri, qeveri bërtasin sot politikanet e Frontit evropiana. që e kanë varfëruar shqiptarin deri në koc, ia kanë ulur krenarinë shqiptare, ia kanë prerë dorën e krenarisë dhe ia kanë amputuar dorën e lypësit përderisa ata janë ulur në kolltuqet e buta dhe të ngrohta dhe pareshtur bërtasin: 20%, 20%, shqip, shqip, shqip,! Maqedonishten e bëmë zyrtare në OKB me Marrëveshtjen e Prespës. Kërkuam nga maqedonasit që shqipja të jetë zyrtare në Maqedoni si gjuha shqipe e jo 20%, por nuk u bë!
Nxënësit shqiptarë në Çashkë të Velesit në vend të Evetarit të Veqilharxhit dhe Abetares “gjithëshqiptare” ende mësojnë me “Bukfar” maqedonisht në kohën kur liderët nga Shqipëria na mësojnë se ne këtu, në Maqedoninë e Veriut, paskemi qenë komb konstitutiv dhe gjuha jonë na qenka bërë zyrtare në tërë shtetin! Dhe paskemi arritur shumë!
Noli i madh, filozof, prift, filolog e burrështeti,dikur shkruante se “Herodoti na tregon se në betejën e Salaminës, një atenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë dhe se lëshonte gjersa ia prenë; e kapi me dorën e mëngjër, ia prenë edhe këtë; atëherë e kapi me dhëmbë dhe se lëshoj derisa ia prenë kokën.
Sikur të ishte gjallë Herodoti, shkruan Noli, përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i shqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën por edhe këmbët e trupin, përfundon Noli i madh.