Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell dhe komisionari për zgjerim Oliever Várhelyi, thanë të hënën në një deklaratë të përbashkët se nuk ka vend në bllok për ata që mohojnë gjenocidin, përpiqen të rishkruajnë historinë dhe lavdërojnë kriminelët e luftës.

Ata i bënë këto komente një ditë para përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjës, duke e cilësuar atë një nga momentet më të errëta në historinë bashkëkohore evropiane.

“Është detyra jonë të nderojmë kujtimin e mbi 8300 djemve dhe burrave që u vranë sistematikisht në kodrat përreth Srebrenicës”, thuhet në deklaratë në të cilën nënvizohet se “shërimi i plagëve të së kaluarës kërkon njohjen dhe mësimin e fakteve historike, nderimin dhe kujtimin e viktimave, identifikimin e atyre që janë ende të zhdukur dhe sjelljen e të gjithë autorëve para drejtësisë. Ky është çelësi për t’u përballur me rrënjët e urrejtjes që çuan në gjenocid”, thuhet në deklaratë.

“Ne duhet të ndërtojmë së bashku ura pajtimi. Nuk ka vend mes nesh për ata që mohojnë gjenocidin, përpiqen të rishkruajnë historinë dhe lavdërojnë kriminelët e luftës”, thuhet mes tjerash në deklaratën e zyrtarëve të lartë evropianë.