Dorëhiqet ekipi menaxhues i tenderit 12 milionësh të Arkitektit të Kryeqytetit që po hetohet nga Prokuroria Speciale

Vetëm pak ditë para se Prokuroria Speciale të njoftoi nisjen e hetimit të tenderit 12 milionësh të Komunës së Prishtinës për “Arkitektin e Kryeqytetit”, ekipi menaxhues i kontratës kishte dhënë dorëheqje.
Siç merr vesh gazeta online Reporteri.net, dorëheqja e ekipit menaxhues nga menaxhimi i kontratës 12 milionëshe është njoftuar e parevokueshme nga ana e tyre me 4 qershor 2024.
Gati dy javë pas, Prokuroria e Shtetit njoftoi se tenderi po hetohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
“Lidhur me rastin për të cilin keni pyetur, ju informoj se gjendet në trajtim në Prokurorinë Speciale. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, në këtë fazë nuk mund të japim informacione tjera”, ka njoftuar Prokuroria e Shtetit me 18 qershor 2024.
Komuna e Prishtinës, e cila drejtohet nga Përparim Rama, dyshohet se kontratën “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” e lidhi me një kompani të afërt me Ramën, duke favorizuar përmes manipulimit të qëllimshëm të procesit tenderues.
Në këtë tender fitues kishte dalur konzerciumi “Anarch” dhe “Ardi Ç”, e që thuhet se është në pronësi të mikut të Ramës, Astrit Nixhës. /Reporteri.net/.