Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka reaguar pas aksionit lidhur me dallaveret për patentë shoferë në qytetin e Pejës, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në një video të publikuar në Facebook, Durmishi ka thënë se i kanë raportuar këto raste më 2 shkurt të këtij viti, teksa ka shtuar se shpreson që kjo çështje do të shkojë deri në fund dhe se personat e përfshirë të marrin dënimin e merituar.
“Posa mora lajmin se në Pejë kanë ndodhur arrestimet e zyrtarëve për Njësinë e Patentë Shoferë në Pejë. Ne me kohë i kemi raportuar këto raste dhe më 2 shkurt kemi mbajtur një konferencë për media ku i kemi paraqitur të gjitha të gjeturat tona që kanë të bëjnë me krimin dhe korrupsionin në Njësinë për Patentë Shoferë në Pejë. Unë i falënderoj organet e drejtësisë për veprimet që i kanë marrë deri më tani dhe shpresoj e besoj se kjo cështje do të shkojë deri në fund dhe të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë do të marrin dënimin e merituar. Jemi të pakompromise në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit dhe unë sot gjatë ditës do ta bëj edhe një vizitë në Qendrën për Patentë Shoferë në Pejë për të parë se atje puna po vazhdon normalisht dhe pa asnjë pengesë”