Rreth 2.500 persona të kuadrit të arsimuar largohen nga vendi në vit, për të cilët shteti ka investuar rreth 725 milionë euro për ta nga viti 2013 deri në vitin 2021. Kjo është një humbje prej 8.34 për qind të bruto prodhimit të brendshëm vendor, konstatoi Enti Shtetëror i Revizionit.

Sipas Indeksit Global “Brain Drain”, nga 41 vende evropiane, Maqedonia u rendit e pesta për sa i përket largimit të trurit. Kurse, sipas Bankës Botërore, 40 për qind e kuadrit me arsimim të lartë është larguar nga vendi.

“Enti Shtetëror i Revizionit informon se masat e ndërmarra të organeve kompetente për pengimin e ikjes së trurit në vendin tonë nuk kanë dhënë efektet e duhura në pengimin apo ndalimin e largimit të kuadrit të arsimuar në vend.”, – deklaroi drejtori i EShR-së, Maksim Acevski.

150 studentë në ciklin e dytë dhe 6 studentë të ciklit të tretë të studimeve jashtë vendit janë financuar nga viti 2013 deri në vitin 2022. Për studime në ciklin e dytë jashtë vendit janë ndarë 450 mijë euro, që ka tejkaluar shumën e paraparë në planin e veprimit, thuhet në raportin e revizionit.

“Ndoshta jemi të vetmit në rajon që si shtet jo mjaftueshëm i japim rëndësi pengimit dhe mbajtjes së kuadrit të arsimuar, që në kontinuitet e lëshojnë vendin tonë për arsye se shteti ka investuar 725 milionë euro në studimin e lartë të kuadrove të reja në institucione ndërkombëtare, gjegjësisht në profile të larta të institucioneve arsimore. Për fat të keq nuk ia kemi arritur qëllimit t’i motivojmë të njëjtët të kthehen në shtetin tonë dhe të punësohen në vende të përshtatshme të punës.”, – theksoi drejtori i EShR-së, Maksim Acevski.

Për fat të keq, shteti nuk ka krijuar një sistem funksional për monitorimin dhe menaxhimin e emigracionit intelektual. Nuk ka asnjë analizë të gjendjes aktuale të migrimit të kuadrit me arsimim të lartë, për numrin e emigrantëve, profilin e moshës dhe gjetjen e arsyeve të caktuara të emigrimit. Gjithashtu, që nga viti 2020, nuk ka asnjë dokument strategjik për të luftuar largimin e trurit të kualifikuar nga vendi ynë, thuhet në raportin e EShR-së.