Thomas Gift nga Qendra për Politikat Amerikane në Kolegjin Universitar të Londrës ka deklaruar se gara presidenciale mes Donald Trump dhe Kamala Harris, nëse kjo e fundit konfirmohet, do të jetë e ngushtë dhe do të vendoset nga një përqindje e vogël votash në shtetet kyçe

Nga
Portali Dukagjini
22 Korrik, 2024, 08:11

Nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, dhe ish-presidenti Donald Trump.
Gara presidenciale në SHBA mes republikanit Donald Trump dhe demokrates Kamala Harris – nëse kjo e fundit konfirmohet – do të jetë e ngushtë, thotë Thomas Gift, drejtor i Qendrës për politikat amerikane në Kolegjin Universitar të Londrës.

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ai ka thënë se rezultati do të varet nga një përqindje e vogël votash në shtetet si: Ohajo, Pensilvania, Miçigeni, Uiskonsini, Xhorxhia dhe Arizona.

Presidenti aktual, Joe Biden, njoftoi më 21 korrik se tërhiqet nga gara e nëntorit, duke i dhënë mbështetje zëvendëses së tij, Kamala Harris.

Nga tabori republikan, ish-presidenti Donald Trump pranoi nominimin javën e kaluar, ndërsa Konventa e Partisë Demokratike, ku do të konfirmohet kandidati/ja demokrat/e, do të mbahet në gusht.