Policia malazeze ka shtuar masat e sigurisë ndaj ish-presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, pas informacioneve se ndaj tij po përgatitet një atentat.

Kjo u bë e ditur pasi një ditë më parë disa media në Mal të Zi, të cilat duke u thirrur në burime nga sektori i sigurisë, njoftuan se një grup kriminal nga rajoni po përgatitej të vriste Gjukanoviqin dhe se ish-presidenti i Malit të Zi ishte informuar për këtë nga një anëtar i paidentifikuar i shërbimeve të huaja.

Millo Gjukanoviq është themeluesi dhe udhëheqësi i Partisë Demokratike të Socialistëve, partisë që ishte në pushtet në Mal të Zi për tri dekada.

Partia e tij humbi zgjedhjet e vitit 2020 dhe pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale të 2023 nga Jakov Milatoviq, Gjukanoviq u tërhoq nga politika.