Historia e re kishte filluar të shkruhej!
Një qytet i tërë ishte vënë nën rrethim!
Gostivari ishte “epruveta” në të cilën do të derdhej helmi i mbledhur shumë gjatë në zemrat e sëmura dhe mendjet e errësuara.
Në mëngjesin e një dite që do të rruhet gjatë në memorien kolektive të historisë së re shqiptare, nga minaret e larta të Pollogut kishte jehuar thirrja për të dalë në qytetin e Gostivarit në mbrojtje të Rufi Osmanit dhe flamurit kuq e zi!
Pas këtij kushtrimi dyndja e njerëzve kishte qenë e vrrullëshme dhe masive si asnjëherë më parë. Informacioni ishte i sakt, ishte arrestuar Kryetari i zgjedhur nga populli dhe ishte përdhosur flamuri kombëtar shqiptar.
Mes asaj se çfar ka ndodhur, ç’është e vërteta dhe ç’duhet bërë, rrethina e qytetit e indinjuar me vullnetin e tyre të nëpërkëmbur, e mashtruar edhe nga “argatët e djallit”, pas një ndalese të shkurtër përpara shtëpisë së Kryetarit të arrestuar, arriti ti bashkohet qytetit, pleq e të ri, drejtë një proteste spontane civile, e cila do rezultoi të ishte një kurth i cili do përgjakte një qytet të tërë!
I ngjitur pranë televizorit si fëmijë, me gjyshin, gjyshen dhe nënën, me shqetësim dhe me një zemërim prej fëmije ndiqnim lajmet e kobshme bashkë me prindërit dhe fjalët e tyre për atë që ndodhte në Gostivar: Thuhej se gjaku rrjedh lum, barbarisht nën thundrën sllave masakrohej gjithçka që frymonte shqip.
Errëra të ndryshimeve të mëdha po fryenin nga Gostivari. Gjaku i Ballistëve vlonte në damarët e Xhemë Gostivarasve të Ri. Ishte kohë Kushtrimi. Do bienin disa, për të jetuar kombi!
Nuk thonë kotë: uji ndalet, hasmi jo!
Me iniciativë të Komunës së Gostivarit më 27 janar të vitit 1997 u ngrit Flamuri Kombëtar Shqiptar, me një procedurë legale juridike të Këshillit Komunal, para selisë së Komunës së Gostivarit. Ky vendim për përdorimin e flamurit shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Qeverisë së Maqedonisë së asaj kohe, dhe nuk vonoi. Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, më 21 maj 1997, u deklarua, se me këtë akt “kërcënohej sovraniteti i shtetit” dhe kërkoi heqjen e flamurit kombëtar shqiptar.
Si një hajdut në shtëpi të vetë!
Më 8 korrik të vitit 1997, në orët e vona të natës, Kuvendi i Maqedonisë miratoi ligjin, përmes të cilit u lejua zyrtarisht “përdorimi i kufizuar i flamujve të nacionaliteteve”, pra edhe i flamurit të shqiptarëve, por vetëm për përdorim në dimensionin privat dhe kulturor. Ky vendim i kuvendit republikan, pa respektuar afatet e fuqizimit u materializua menjëher pak orë pas aprovimit të të njëjtit.
Në orën 1 e 30 të mëngjesit, të datës 9 korrik 1997, filloi aksioni “Gostivari”. Dy orë pas heqjes së flamurit, forcat e policisë arrestuan edhe Kryetarin e Komunës së Gostivarit, z. Rufi Osmanin dhe kryesuesin e atëhershëm të Këshillit z. Refik Dautin. Atë ditë në mbrojtje të gjithçkaje që frymonte shqip në qytetin tonë rranë dëshmorët e parë Shpend Iseini, Nazmi Saliu dhe Milaim Dauti, qindra e mijëra të tjerë u plagosën dhe u malltretuan në mënyrën më barbare nga policia sllave maqedonase e ndihmuar edhe nga vëllezërit e ardhur nga beogradi.
Fara shqipe duhej zhdukur!
Shumë ndërruan jetë më vonë nga pasojat e dhunës së asaj dite. U bastis derë më derë, çdo shtëpi, gra, pleq e të ri, çdo shqiptar, me fajin e vetëm se ishte shqiptar!
Pasoi procesi gjyqësor i Gostivarit, në këtë proces Gjykata themelore e Gostivarit shpalli fajtor Kryetarin e Komunës së Gostivarit Rufi Osmanin, duku i rënë kështu 14 here me çekiç bankës së gjyqit për 14 vite burg, gjegjësisht 7 vite burg në instancën e dytë gjyqësore.
Koka lartë dhe dy gishta ngritur teksa nisej drejt burgjeve sllave e bënë këtë gjykim, Gostivarin dhe Kryetarin Rufi Osmani sinonim, si dhe vulë të rezistencës mbarë shqiptare për flamur dhe të drejta.
Me miratimit e Ligjit për amnesti në vitin 1999 kryetari i atëhershëm lirohet nga burgu duke kaluar afërsisht 2 vite në burgjet maqedonase.
Sikur kjo të mos mjaftonte, ish-kryeministri i atëhershëm Branko Cërvenkovski pas aksionit, si një kriminel i kthyer në vendin e krimit, atyre që masakruan Gostivarin, me një buzëqeshje të ngrirë në buzë, në stilin e diktatorve më të poshtër që ka pa bota, në Gostivar, u ngriti gishtin e aprovimit. Duke aprovuar kështu vdekjen dhe dhunën, si dhe duke varrosur edhe ëndrrat më të vogla të ëndrrimtarëve më mëdhenjë për një të nesërme të përbashkët më të mirë.
Nuk vonoi shumë, 9 Korriku dhe ngjarje tjera që ndodhën në Maqedoninë e asaj kohe, do ju paraprinë pushkëve të para, ëndrrës për çlirim të shqiptarëve dhe zot në toka të veta, njëherë e përgjithmonë.
Për Gostivarin e vrarë nuk u përgjigj askush, vrasësit dhe orkestruesit vazhduan të enden nëpër institucione e qytet të lirë, ata të lirë janë edhe sot e këtë ditë. 9 korriku dhe ajo çfar prodhoi procesi më vonë vazhdon të jetë një traumë në memorien kolektive të qytetit akoma. Në çdo ditë përkujtimi të kësaj date, shpirti i qytetit sikur frymon rënd, dhe mes rrugicave të nxehta të korrikut, era sikur sjell me vete pëshpërimat e shpirtit të qytetit i cili gulfon akoma në vaj lëngueshëm!
Që të ekzistojmë vërtet duhet të falim, por jo të harrojmë, ajo që nuk mësohet përseritet, nga ajo që nuk mësohet, e përsëritet, pësohet! Është ajo që duhet përcjellur si amanet tek brezat e rinjë sot e mot, deri në pafundësi.
@tetovasot_official GOSTIVARI NËN KTHETRAT E TIRANISË DHE LIRISË 9 KORRIK 1997/2024#GOSTIVARI #TIRANISË #LIRISË #1997 #TS #tetovasot #foryoupage #tiktok #foryou #viral #nevrijademi