Izraeli e ka vënë në shënjestër një komandat të lartë të Hezbollahut gjatë një sulmi ajror në jug të Bejrutit të martën vonë.
Ushtria izraelite tha se ky ishte një sulm hakmarrës për një sulm raketor tri ditë më parë, ku u vranë 12 fëmijë dhe adoleshentë.
Një zhurmë e madhe u dëgjua dhe u vërejt një shtëllungë tymi mbi rrethinat jugore të Bejrutit – të cilat janë bastion i grupit të armatosur libanez që ka mbështetjen e Iranit, Hezbollah – të martën rreth orës 19:40, raporton Reuters.
Një burim i lartë i sigurisë në Liban tha se një komandant i lartë i Hezbollahut ishte në shënjestër të sulmit ajror dhe se asgjë nuk dihet për fatin e tij.
Bejruti ka qenë i brengosur tash e disa ditë, në pritje të një sulmi ajror izraelit si përgjigje për sulmin raketor në Lartësitë e Golanit, të okupuara nga Izraeli, të shtunën, si pasojë e të cilit u vranë 12 të rinj në një fushë futbolli në fshatin Druze.
Hezbollahu e mohoi përfshirjen në atë sulm.
Në një komunikatë për media, ushtria izraelite tha se ka kryer “një sulm me shënjestër në Bejrut ndaj një komandanti përgjegjës për vrasjen e fëmijëve në Majdal Shams dhe për vrasjen e një numri të civilëve izraelitë”.
Shqetësime për përshkallëzim
Derisa diplomatët po përpiqen ta parandalojë përshkallëzimin, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se nuk beson se lufta mes Hezbollahut dhe Izraelit është e pashmangshme, megjithëse tha se mbetet i shqetësuar për përshkallëzimin e mundshëm.
Hezbollahu dhe Izraeli, të cilat luftuan për herë të fundit në një luftë të madhe më 2006, kanë shkëmbyer zjarr prej se shpërtheu lufta në Gazë tetorin e kaluar, pasi Hezbollahu filloi sulmet në drejtim të Izraelit për, siç tha, t’u solidarizuar me palestinezët.
Luftimet mes tyre kanë qenë kryesisht të kufizuara në kufi dhe të dyja palët kanë lënë të kuptohet në të kaluarën se nuk kërkojnë luftë mes vete, pavarësisht se konflikti ka nxitur frikën për rrezikun e një luftë të gjerë mes tyre./rel