Në zonën që mbulon SPB-Tetovë, sipas përvojës së deritanishme, në periudhën e ardhshme pritet të organizohen një numër i madh i ahengjeve-dasmave familjare informon Tetovasot.
Duke i marrë parasyshë përvojat e mëparshme lidhur me këto festa, SPB-Tetovë apelon tek qytetarët që të përmbahen nga të shtënat me armë zjarri, si dhe nga organizime të paautorizuar të fishekzjarrëve, të cilat kohëve të fundit janë praktikë e dasmave në këtë zonë.
Sektori i punëve të brendshme-Tetovë rikujton qytetarët se të shtënat me armë janë në kundërshtim me Ligjin për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike dhe se gjoba për këtë lloj kundërvajtjeje sipas nenit 31 varion nga 100 deri në 250 euro në denarë. Gjithashtu, varësisht nga pasojat, të shtënat me armë mund të përbëjnë edhe vepër penale si ,,shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” për të cilin është paraparë dënim me burg prej një deri në pesë vjet (neni 288 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut).
Sektori i punëve të brendshme-Tetovë ka përforcuar aktivitetet kontrolluese të planit për zbulimin dhe sanksionimin e shkeljeve të tilla të rendit dhe qetësisë publike, dhe në këtë temë, ndër të tjera, javën e kaluar janë mbajtur disa takime me grupe këshillimore të qytetarëve dhe komuniteteve lokale dhe urbane, kurse gjatë kësaj jave janë planifikuar edhe takime me hotelierë të kësaj zone dhe njohja e tyre me implikimet ligjore. Qëllimi i tyre është të parandalojnë ngjarjet dhe pasojat e mundshme të padëshiruara në fushën e sigurisë. TS