Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Qeveria e Kosovës i ka shpallur organizatat “Mbrojtja Civile”, dhe “Brigada e Veriut”, si organizata terroriste dhe strukturat ilegale po mbyllen, shërbimet e tyre po zëvendësohen me shërbime të mira e të drejta të institucioneve të Kosovës.

Kurti në mbledhjen e këshillit të përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se konfirmojnë angazhimin për drejtësi e cila është për paqe të qëndrueshme dhe pajtim në mes popujve. Kurti tha se fuqizimi i subjektivitetit të Kosovës është cak i programit qeveritar.

“Në Këshillin e Evropës kemi kaluar me sukses fazën e ambasadorëve të Këshillit të Evropës, komitetit për çështje politike dhe Asamblesë parlamentare, të cilat që të gjitha i kanë thënë po të zëshme e të fuqishme, bindës anëtarësimit të Kosovës në organizatën më të vjetër të kontinentit tonë. Vazhdojmë të besojmë që anëtarësimi jonë në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për organizatën dhe mekanizëm i duhur për qytetarët tanë. Ndërkaq, në asamblenë parlamentare të NATOS-s, vendi ynë me shumicë dërmuese të votave të delegatëve të shteteve anëtare të NATO-s, mori statusin e anëtarit të asociuar. NATO-n e duam në Kosovë dhe Kosovën e duam në NATO”, tha Kurti.