Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qytetarët nuk duhet të bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit, shtetasi kosovar që dyshohet se u vra në Serbi të premten.

Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se sqarimi i rrethanave nga ikja e Faton Harizit nga burgu i Smrekonicës, e deri te arratisja e tij në Serbi dhe vrasja e raportuar kërkon hetim vendor e ndërkombëtar, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Së fundmi përmes MPJD-së, jemi informuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor “Ilecu” e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe me datë 22 korrik kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi. Të njëjtat shenja janë së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi janë përcjellë në Agjencinë për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKZ, ka pranuar përgjigje nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor se këto gjurmë i përkasin qytetari të raportuar si i vrarë. MPB dhe Policia e Kosovës kanë përcjellur me vëmendje çdo hollësi, ashtu si MPJD dhe MPB, megjithatë sqarimi i rrethanave që nga ikja në drejtim të Serbisë, e deri te vrasja e tij e raportuar kërkon hetim vendor e ndërkombëtarë. Ndërkohë u ftoj qytetarët e Kosovës që të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romatizimit të Faton Hajrizit. Patriot në Republikën e Kosovës është rreshteri Afrim Bunjaku, i vrarë në Bansjkë, 23 pjesëtarë të Policisë së Kosovës të rënë në krye të detyrës që dëshmuan përkushtimin në shërbim të detyrës deri në sakrificë”, tha Kurti ndër të tjera në mbledhjen e Qeverisë.

Faton Hajrizi kishte një historik të gjatë arratisjesh nga burgu.

Për herën e nëntë dhe të fundit, ai u arratis, më 6 korrik derisa ndodhej në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Pak ditë më vonë u bë i dyshuar për vrasjen e një polici në Serbi dhe u vra deri sa ishte në arrati nga autoritetet serbe të premten, më 19 korrik.

Pas rreth 40 orësh kërkimesh, Faton Hajrizi të premten është lokalizuar dhe vrarë nga policia serbe.

Pas vrasjes së tij mediat serbe kanë dhënë disa versione se si u lokalizua Hajrizi. Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq tha se ai i rezistoi arrestimit duke shkrepur 9 plumba në drejtim të policisë serbe.

Të hënën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njoftoi se autoritetet serbe kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi, të cilat bashkë me shenjat e gishtërinjve të Hajrizit janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.

Pas krahasimit, Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin Hajrizit.

“Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njejtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi”, thuhej në njoftimin e MPJD-së. /Reporteri.net/