Nga Avni Halimi


Ismail Kadare vdiq 34 vite më vonë pasi dështuan skenaret e vrasjes së tij nga strukturat e ish-sistemit komunist të Shqipërisë. Sot, më 1 korrik, të vitit 2024, bota shqiptare mbeti pa Mbretin e Krijimtarisë Letrare, pa Mjeshtrin e madh të fjalës shqipe, pa Gjeneralin e Letërsisë Shqiptare!
Si sot 34 vite më parë, redaksia e gazetës studentore të Universitetit të Prishtinës,”Bota e Re”, po bënte përpjekje për të siguruar viza dalëse dhe hyrëse për në Shqipëri, për një delegacion nga kjo redaksi që ishin të ftuar të merrnin pjesë në një nga kongreset e radhës të “Takimet Kombëtare të Talenteve të Reja”! Unë, Fadil Demaku, kryeredaktor i gazetës, Naime Beqiraj e Blerim Shabani, delegacioni i parë shqiptar nga Kosova që hyri në Shqipërinë komuniste pas një kohe të gjatë, do të ishim mysafirë në Shqipëri në periudhën 20-31 tetor të vitit 1990. Në Kukës do të priteshim nga Izet Duraku (do ta takonim edhe poetin e madh, të ndjerin Agim Spahiu, ndërsa në Tiranë e përgjatë qëndrimit në Shqipëri do të shoqëroheshim nga Ilir Kadia, nga Lazër Stani, nga Faruk Myrtaj dhe, kryesisht, nga Remzi Lani, Preç Zogaj, Besnik Mustafaj dhe Elsa Ballauri!
Po iknin dhjetë ditë survejimesh të “vëllezërve kosovar”, dhjetë ditë spiunimesh për “misionarët e Rugovës” që po përhapnin “cevizmin” (!!!), dhjetë ditë torturash mbi shoferët (bacin Bashkim e bacin Demir) që po na bartnin nëpër qytetet shqiptare sipas protokollit të “Zërit të Rinisë”, dhjetë ditë përjetimesh të shenjave të para të përmbysjes së një sistemi totalitar që ia kishte dalë ta “degjenerojë racën shqiptare”!
Një ditë para ikjes, në Durrës, derisa po hanim mëngjesin, dikush nga shoqëruesit tanë na kumtoi dëshirën e Kadaresë që e paskësh shprehur që ta prisnim deri nga 3 nëntori kur do të vinte nga Parisi, sepse dëshironte fort të na takojë! Kadare kishte udhëtuar në Paris!
Një javë para nisjes, sapo merr vesh gazetari i Rilindjes, Bajram (Gjergj) Kabashi për këtë vizitë dhe pasi ia shpreha bindjet se do ta takonim edhe Ismail Kadarenë, më thotë: Kadare do të marrë azil politik dhe nuk do të kthehet fare! Kush ta tha, e pyes habitshëm! Saliu, më përgjigjet! (Sali Kabashi ishte aktivist dhe drejtues i një prej revistave më të fuqishme të kohës, “Republika” që botohej në Slloveni!) Në bisedë e sipër, Bajrami më tregon bisedën që e paskësh zhvilluar Saliu me Kadarenë! Kadare ka informacione të plota që do ta vrasin, sapo të refuzojë që t’i prijë popullit gjatë revoltave që priteshin të shpërthenin. Sigurimi kishte kërkuar që Kadare të përgatitet që me ndikimin e vet ta kanalizonte revoltën e popullit dhe ta merrte drejtimin e tij që do të zhvillohej sipas direktivave të Sigurimit. Kadare “ka pranuar” vetëm sa të ulen dyshimet gjatë udhëtimit të tij në Paris. Ai nuk do të kthehet, sepse, në momentin kur do ta refuzojë këtë kërkesë, ai do të vritet! Sigurimi “e vrau” sapo mori vesh për këtë qëllim kombëtar të Kadaresë, u mundua ta kompromentojë duke thënë se “iku krijuesi më i përkëdhelur i sistemit”!
Shoqëruesve tanë i them: “Kadare nuk do të vijë, mos e prisni, këto ditë do të kërkojë azil politik në Francë”! Kjo i irritoi pa masë shoqëruesit tanë, të cilët, në fakt edhe ishin më të besuarit e Kadaresë! Më morën inat, madje edhe më kërcënuan për këtë ofendim që po ia bëja Kadaresë.
Të nesërmen lajmi mori dhenë: “Tradhëtari i popullit, Ismail Kadare, ka kërkuar azil politik nga autoritetet franceze”!
Vërshuan kritikat, ofendimet publike, linçimet, madje edhe poema për tradhëtinë e Kadaresë! Shqiptarët e atëhershëm ndanin mendimin se më mirë të vritej se sa që na tradhëtoi Gjenerali i Letërsisë! Mijëra shkrime drejtuar Komitetit të Nobelit kundër Kadaresë, mijëra dëshira që kurrë mos ta fitojë Nobelin. Sepse, ja që u bë këmba e shëndoshë që u shkëput dhe iku nga karriga prej xhami të plasaritur në të cilën po dergjte në grahmën e vet të fundit komunizmi shqiptar.
Ismail Kadare nuk donte të vritej, nuk donte të shterrohet në krye të lëvizjeve që po lindnin nga Komunizmi Shqiptar, sepse, ai ndjente se akoma nuk e kishte thënë fjalën e fundit në krijimtarinë letrare, ndjente se akoma ka për të shkruar kryevepra, se akoma ka për të nxjerrë perla kombëtare nga gjenialiteti i vet.
Të gjithë gjuajtën me plumba në drejtim të Kadaresë, të gjithë patën dëshirë të flaktë që ai të vritet, sepse “na tradhëtoi”! Kur kuptuan se plumbat e tyre në drejtim të një të shenjti ishin plumba qorre, atëherë, e fshehën dorën dhe nisën të mburren me pavdekshmërinë e Tij, si të Zotit. Sot do ta vajtojnë!
Lavdi përjetë Gjeniut të Letërsisë sonë, këtij Kryezoti të kulturës shqiptare!