Mijëra izraelitë protestuan në Tel Aviv dhe Jerusalem duke kërkuar një marrëveshje që do të lejonte kthimin në Izrael të rreth 120 pengjeve të mbajtura nga Hamasi. Pjesëmarrësit në demonstrata akuzuan kryeministrin Benjamin Netanyahu për ”sabotim të bisedimeve indirekte për të arritur një marrëveshje”.
“Netanyahu po vret pengjet”, shkruhej në një pankartë të madhe të mbajtur nga protestuesit në Tel Aviv. Sipas raportimeve, mijëra njerëz demonstruan në Jerusalem përpara rezidencës së Netanyahut dhe në resortin bregdetar të Cezaresë përpara një prej vilave të Netanyahut. Ndërkohë Kryeministri izraelit ka theksuar se operacioni ushtarak i Izraelit në Rripin e Gazës nuk do të përfundojë derisa të gjitha njësitë e armatosura të Hamasit të eliminohen plotësisht.
“Kërkesa ime kryesore është që pengjet të kthehen, por gjithashtu mendoj se Izraeli po bën krime të papërshkrueshme në Gaza dhe është koha për të ndalur luftën, dhe është koha të kujtojmë se ka njerëz në të dyja anët”, tha Reut Gelblum, protestuese.
“Unë jam këtu sepse anëtarët e familjes sime, vëllezër dhe motra po mbahen peng në Gaza. Unë jam këtu për të protestuar kundër situatës dhe vazhdimin e luftës. Unë dua që lufta të ndalet dhe dua që pengjet të kthehen në shtëpi”, u shpreh Hillel Yaron, protestues.