MERXHAN JAKUPI

Më kujtohet, para ca vitesh, kisha lexuar në një gazetë një fabul të shkrimtarit dhe kalorësit të letërsisë franceze, Viktor Hygo, ku thuhej: “Mbyllini kazinotë, bordellot dhe hapni biblioteka, librari, teatro dhe kinema!” Në qytetin ku jetoj, në Tetovë, ka vetëm dy-tre librari dhe dhjetëra bastore dhe kazino. Në librarinë “Nobel”, ku shpesh blej libra, miku im më thotë me dëshpërim se në Shkup, kryeqytet, me numër më të madh të banorëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, nuk paskësh asnjë librari shqiptare. Ai thotë se kishin hapur një librari të vetme shqiptare, por pas një viti ishin detyruar ta mbyllin. Në anën tjetër, pikërisht në këto qytete shqiptare, në vend që të ketë më shumë biblioteka dhe librari, që do të funksiononin me kapacitet të plotë, mjerisht, kemi më shumë bastore, bordello, kazino dhe kateteri degraduese.
NJË ZBAVITJE QË KATANDIS MJERIMIN
Një ndër bizneset më përfituese, thonë, janë bordellot, kazinotë dhe bastoret, ku padronët fitojnë me miliona euro në çantat e tyre, ndërsa një pjesë të fitimeve e ndajnë me ministrat ose pushtetarët e tjerë. Në shtetet perëndimore ekzistojnë kazino dhe bastore, por si lojëra fati dhe zbavitjeje. Në ato kazino, më së shumti shkojnë njerëz nga shtresa e lartë, biznesmenë të pasur, të cilët për një zbavitje hedhin pa mëshirë 500-1000 euro, ndërsa pas një gote shampanje apo vere, ata ikin. Për ta s’ është me rëndësi nëse kanë fituar apo humbur. Po ashtu, edhe qytetarë të tjerë, në fund të javës vizitojnë ndonjë kazino ose luajnë ndonjë lojë fati, por ata janë racionalë dhe janë mjete që i kanë ndarë shuma të caktuara prej përpara nga buxheti i tyre për këso zbavitjesh nëpër bare nate, lojë bilardoje, bastore ose bordello.
Popujt e shteteve të Ballkanit nuk e kanë atë kulturë perëndimore. Shumica e tyre, sipas logjikës irracionale, imagjinojnë se me lojëra të fatit do të fitojnë pa djersë shumë para. Ata u përkasin shtresave të ulëta, të pa arsimuara e të pa punë. Bastoret dhe kazinotë shkaktojnë mjerim, dhunë, krizë sociale, ekonomike dhe divorce. Shumica e këtyre individëve janë bërë të varur kronik, njëjtë si narkomanët dhe alkoolistët. Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nuk kanë atë luks të hedhin para, si në shtetet perëndimore me standard më të lartë.
SI TË MBYLLEN KAZINOTË DHE BASTORET
Kazinotë dhe bastoret janë mbirë si kërpudha pas shiut në gjithë qytetet e Maqedonisë Perëndimore. Është çështja se si të mbyllen këto, si një e keqe shoqërisë? Mbylljen e kazinove dhe bastoreve mund ta bëjë vetëm qeveria, por, mjerisht, vetë ajo i hapën dhe i mbështetën në punën e tyre mashtruese për mjeljen e parave të popullit. Opsioni tjetër i zgjidhjes së këtij problemi shoqëror është që përfaqësuesit e popullit, të cilët kanë marrë votën shqiptare, të angazhohen në parlament dhe në institucione të tjera, për mbylljen e këtyre kazinove dhe bastoreve. Është problem shtesë se qeveri në RMV i justifikon ekzistimin e këtyre lojërave të fatit, si diçka normale për shtetet demokratike. Në shekullin e 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, shumë shtete perëndimore ishin katandisur nëpër kazino, bastore dhe prostitucion. Shkrimtari i madh francez, Viktor Hygo, i cili e donte popullin më shumë se shpirtin e vet, tuboi shkrimtarë, artistë, intelektualë, klerikë, për të ngritur zërin, me sloganin “NDAL!”. Pankartat që i mbanin në dorë ishin si metaforë të librave të shenjta biblike: “NDAL, MOS VRAJ; NDAL, MOS BËN DHUNË; NDAL, MOS E DHURO TRUPIN PA KURORË!”.
Shkrimtari Hygo, duke ecur nëpër avenytë dhe rrugët kryesore të Parisit, në përkrahje të turmës, me slogane e parulla, thoshte: “Mbyllini kazinotë, bastoret dhe bordellot! Hapni biblioteka, librari, teatro dhe kinema!” Për t’i fshirë nga faqja e dheut këto kazino dhe bastore, që e katandisin popullin në mjerim, errësirë, dekadencë dhe injorancë, duhet dalë me sloganin biblik – “NDAL!”
Elita intelektuale, njerëz të arsyes, altruistë, humanistë, bashkë me të rinjtë, studentët, të grisin zërin e arsyes në protesta masive. Të dalin rrugëve, siç doli Viktor Hygo, që të kërkojnë heqjen e kësaj të keqeje mbi shoqërinë tonë, me moton: “Mos plaçkitni popullin, mos vritni dinjitetin, mos e helmoni shpirtin, mos shkelni mbi dinjitetin dhe ardhmërinë e këtij populli të varfër.