Gjykata Themelore në Prishtinë nesër do ta shpall aktgjykimin në rastin e vrasjes së rëndë të 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu, në Podujevë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Avokati i familjes Fejzullahu, Tomë Gashi, ka njoftuar se seanca do të mbahet në orën 09:00.
“Neser me 31.07.24 ne ora 9:00 do te publikohet vendimi i Gjykates per rastin e vrasjes se Lulzim Fejzullahut Per vrasjen e Lulit kan mekate edhe vete 3 Gjyqtare te Gjykates Themelore ne Prishtine te cilet se paku njerit prej sulmuesve mizore ndaj Lulit per vepra shume te randa penale qe nga tentim vrasja e nje nxanesi ne apo afer oborrit te shkolles ne Besian pak vite me pare nuk i dhan denimin meritor”, shkroi Gashi në Facebook.
Ndryshe, Apeli ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin i mituri i parë i akuzuar për vrasjen e rëndë të 18-vjeçarit ishte dënuar me 10 vjet burgim, ndërsa i mituri i dytë me 9 vjet burgim.
Aktgjykimi i Apelit është marrë më 17 korrik 2024, me të cilin ka aprovuar si të bazuara ankesën e mbrojtësit të të miturit të parë, avokatit Skender Musa dhe mbrojtësit të të miturit të dytë, avokatit Florent Latifaj.
Sipas vlerësimit të kolegjit të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit, qëndron pretendimi i avokatit Musa se kryetarja e trupit gjykues, Lumnije Krasniqi ka qenë gjyqtare e procedurës paraprake në të njëjtin rast penal.
Apeli vlerëson se gjyqtarja Krasniqi është dashur të përjashtohet nga gjykimi i kësaj çështjeje penale.