Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka dërguar një delegacion për të marrë pjesë në negociatat për lirimin e pengjeve në këmbim të një armëpushimi, tha një zyrtar izraelit, njoftuan Reuters dhe Associated Press. Nuk është e qartë se ku do të zhvillohen bisedimet.
Sipas raportimeve, Netanyahu u ka theksuar negociatorëve të tij “se lufta do të përfundojë vetëm pasi të arrijë të gjitha qëllimet e saj, jo një moment më parë”.
Sipas Al Jazeera, kryeministri ka thënë vazhdimisht se këto synime përfshijnë humbjen e plotë të Hamasit, e cila ka të ngjarë të kundërshtojë çdo lëvizje drejt një armëpushimi.
Megjithatë, zyra e Netanyahut tha mbrëmë se Izraeli kishte marrë përgjigjen e fundit të Hamasit ndaj një propozimi të negociuar për armëpushim, duke shtuar se do ta studionte atë.
Gadi Eisenkot, një ish-anëtar i kabinetit ushtarak të Izraelit tashmë të shpërbërë, i tha gazetës lokale Walla se një marrëveshje për një armëpushim dhe kthimin e të burgosurve izraelitë në Rripin e Gazës ishte “më afër se kurrë më parë”.
Megjithatë, ai nënvizoi: “Është e vështirë për mua të imagjinoj se Netanyahu do të ngrihet në nivelin e lidershipit strategjik dhe do të marrë një vendim shumë të vështirë për t’i dhënë fund luftës.
“Është e vështirë për mua të imagjinoj që Netanyahu të pranojë marrëveshjen dhe t’i thotë Smotrich dhe Ben-Gvir se kjo është gjëja e duhur për të bërë… Netanyahu përballet me një dilemë strategjike, ose kthimin e të rrëmbyerve ose mbijetesën e qeverisë së tij,” ai tha, duke shtuar se kryeministri, sipas tij, nuk është më në gjendje t’i shërbejë interesave më të mira të Izraelit.