Një masakër e vërtetë ka tronditur qytezën e vogël të Memaliajt në Shqipëri mesnatën e së shtunës. Tre persona mbetën të vdekur dhe një tjetër i plagosur nga breshëritë e armëve automatike që u zbrazën pranë një lokali në qendër të Memaliaj.

Të dhënat e para hetimore të policisë dyshojnë se shënjestër e këtij atentati, ka qenë Shyqyri Kalemi 74 vjec, i cili ka mbetur i vdekur në vend. Nga të shtënat automatike në vendngjarje mbetën të vrarë edhe Gledian Muka, kamarier i lokalit si dhe një tjetër klient i rastësishëm, i identifikuar si Marsel Çela.

I plagosur rëndë nga kjo ngjarje mbeti edhe vëllai i viktimës, Artur Kalemi i cili po mbahet nën kujdesin e mjekëve në spitalin rajonal të Gjirokastrës me plagë në këmbë dhe kraharor. Pas kësaj masakre, autorët e dyshuar, të cilët dyshohet se kanë qenë tre, janë larguar me një veturë në drejtim të Mallakastrës dhe kanë djegur më pas mjetin në fshatin Bejar për të humbur gjurmët.

Në mjetin e djegur policia gjeti tre armë zjarri kallashnikov me të cilat dyshohet se është kryer atentati. Dyshimet e para janë që kjo masakër të këtë si motiv hakmarrjen nga Shyqyri Kalemit, për shkak të djalit të tij, Andrea Kalemi, i njohur edhe si Tik Kalemi dhe disa familjarëve të tjerë që dyshohen të implikuar në disa vrasje, që kanë nisur që në vitin 2021.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume