– Kryeministri hungarez Viktor Orban të premten pasdite ka mbërritur në Moskë si pjesë e një “misioni paqeje”, ka thënë zëdhënësi i tij Bertalan Havasi.
“Pritet që gjatë qëndrimit në Moskë, Orban të takohet me presidentin rus Vladimir Putin”, ka thënë Havasi për MTI. Vizita e Orbanit në Moskë vjen pasi bëri vizitë të papritur në Kiev më 2 korrik, ku u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
“Misioni i paqes vazhdon. Ndalesa e dytë: Moska”, ka shkruar Orban në “X”, duke e shoqëruar me një fotografi nga aeroporti i Moskës.
Shërbimi hungarez i Radios Evropa e Lirë raportoi dje, duke cituar një burim nga qeveria hungareze, se Orbani do të udhëtojë sot në Moskë për t’u takuar me Putinin, pas së cilës nxiti reagime nga Perëndimi.
BE-ja kritikon Orbanin për takimin e mundshëm me Putinin
Udhëheqës të Bashkimit Evropian (BE) kanë shprehur shqetësimin mbi takimin e mundshëm mes kryeministrit hungarez, Viktor Orban dhe presidentit rus, Vladimir Putin, i cili është raportuar të mbahet të premten në Moskë.
Orban, është kreu i vetëm i bllokut të BE-së, që ka mbajtur lidhje të ngushta me Kremlinin pas pushtimit të plotë të Ukrainës në vitin 2022.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka thënë se Orban nuk ka mandat për t’u angazhuar me Rusinë në emër të BE-së, ndërsa kryeministri polak, Donald Tusk ka kërkuar sqarime mbi këtë takim të planifikuar.
“Presidenca e radhës e Bashkimit Evropian nuk ka mandat të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së. Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresori, Ukraina është viktima. Asnjë diskutim për Ukrainën nuk mund të bëhet pa Ukrainën”, ka shkruar Michel në rrjetin social X.
Në fillim të kësaj jave, Orban vizitoi Kievin, prej nga bëri thirrje për armëpushim, si një mjet, që sipas tij, do të përshpejtonte negociatat e paqes.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka pasur marrëdhënie të ftohta me Orbanin, nuk i është përgjigjur publikisht propozimit.
Orban ka qenë kritik i zëshëm i mbështetjes perëndimore për Ukrainën, raporton “BBC”.
Vizita e së martës në Kiev ishte e para e tij në 12 vjet, megjithëse ai u takua vazhdimisht me Putinin gjatë asaj kohe.
Borrell: Orbani në Rusi nuk përfaqëson BE-në
Përfaqësuesi i BE-së për politikë të Jashtme, Josep Borrell, ka thënë se vizita e kryeministrit të Hungarisë e cila mban kryesimin e BE-së, Viktor Orban, në Moskë zhvillohet, ekskluzivisht, në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe midis Hungarisë dhe Rusisë.
Duke iu referuar raportimeve për një takim të mundshëm të Orbanit në Moskë të premten, ai ka thënë se Orban nuk ka marrë asnjë mandat nga Këshilli i BE-së për të vizituar Moskën. “Kryeministri hungarez nuk po përfaqëson kështu BE në asnjë formë”, ka thënë Borrell.
“Kryeministri Orban nuk ka marrë asnjë mandat nga Këshilli i BE-së për të vizituar Moskën. Qëndrimi i BE-së për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës pasqyrohet në shumë përfundime të Këshillit Evropian. Ky qëndrim përjashton kontaktet zyrtare midis BE-së dhe presidentit Putin. Kryeministri hungarez nuk po përfaqëson kështu BE-në në asnjë formë”, ka shtuar Borrel’.