Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar katër data të mundshme për zgjedhjet e rregullta të vitit 2025: 26 janar, 2 shkurt, 9 shkurt dhe 16 shkurt. Këto data janë diskutuar në takimin me kryetarët e partive politike në vend

Pas një takimi me përfaqësuesit e partive politike, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar katër datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, teksa ka theksuar se janë pajtuar që të bëhet analizimi e të gjitha datave dhe elementeve përkatëse për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta parlamentare.

Datat e propozuara janë 26 janar, 2 shkurt, 9 shkurt dhe 16 shkurt.

“Kemi ftuar partitë politike për të shprehur qëndrimet e tyre rreth zgjedhjeve. Sipas Ligjit janë katër data: 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti dhe 16 shkurti. Diskutimi ynë ishte në kontekst të këtyre datave. Kishte preference. Disa parti preferuan 26 janarin, ka 3-4 tjera 9 shkurti, 2-3 të tjera 16 shkurtin, dhe të tjerat nuk kishin preference”, ka thënë Osmani.

“Ende jemi brenda afatit të konsultimeve, mirëpo nga data 26 korrik e tutje presidentja fiton të drejtën me bë shpalljen e zgjedhjeve. Afatet ekzistojnë meqenëse nga partitë politike, nuk kishte kërkesë për konsultime shtesë. U pajtuam si presidencë ta bëjmë analizën e të gjitha datave, që edhe ta bëjmë publike datën e zgjedhjeve”, ka shtuar Osmani.

Osmani gjithashtu vuri në dukje se mundësia për zgjedhje të jashtëzakonshme nuk është përjashtuar, po në këtë takim sipas saj, nuk pati interes për shpërndarje të Kuvendit.

“Sa i përket zgjedhjet e jashtëzakonshme mundësia ende ekziston. Caktimi i datës së zgjedhjeve të rregullta nuk e përjashton ligjërisht zgjedhjet e jashtëzakonshme. Megjithatë shpërndarja e Kuvendit kërkon dy të tretat e votave… Sot nuk duk një disponim i tillë”, ka shtuar Osmani.