Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken, dhe shefi i shtabit të presidentit ukrainas Andriy Yermak kanë diskutuar synimin e anëtarëve të NATO-s për ta afruar Ukrainën me aleancën.

Blinkeni ka thënë se Ukraina do të bëhet anëtare e NATO-s dhe se samiti do të “ndihmojë në ndërtimin e një ure” për këtë rezultat, tha zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.

“Ata folën për një sërë çështjesh, duke përfshirë samitin e ardhshëm të NATO-s në Washington dhe synimin e aleatëve për ta sjellë Ukrainën më afër anëtarësimit në NATO dhe për të ndihmuar në forcimin e aftësisë së Ukrainës për t’u mbrojtur kundër agresionit rus”, u tha Patel gazetarëve.

Takimi i tyre në Washington vjen përpara një samiti të NATO-s në kryeqytetin e ShBA-së javën e ardhshme, në të cilin Ukraina shpreson të sigurojë më shumë garanci nga aleanca për ofertën e saj për anëtarësim, shkruan Sky News