Policia ka ndaluar 40-vjeçarin në shtëpinë e të cilit u gjetën 4 persona të moshës nën 18 vjeç pa ndjenja dhe me lëndime trupore, shkruan Alsat.

Personi me inicialet D.GJ në cilësinë e të dëmtuarit dhe njëkohësisht pronarit të shtëpisë është paraqitur në stacionin policor me denoncimin se është sulmuar nga një person i mitur, por pas ndërhyrjes së policisë dhe dërgimit të katër të miturve në Klinikën e Toksikologjisë denoncuesi ka përfunduar në pranga.

Motivet për këtë, as policia dhe as Prokuroria Publike nuk i bën të ditura derisa hetimi është në rrjedhë e sipër.

“Pas denoncimit policia ka shkuar në vendin e ngjarjes. Aty ka gjetur katër persona minoren. Dy prej tyre kanë qenë pa ndjenja dhe kishin konsumuar alkool dhe substanca psikotrope. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dëshmi të lëndëve të konsumuara. Do të bëhet ekspertizë plotësuese për përmbajtjen e tyre”, tha Goce Andreevski, zëdhënës i MPB-së për Alsat.

Nga Klinika e Toksikologjisë kanë njoftuar se gjendja e të miturve është stabile dhe po vazhdojnë t’i nënshtrohen trajtimeve mjekësore.

Për dallim nga policia, reparti i Toksikologjisë njoftoi se pasqyra e gjakut tek katër pacientët ka rezultuar vetëm me përdorim të lëndëve psikotrope dhe jo prezencë alkooli.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume