Një shpërthim në afërsi të liqenit të Ujmanit ndodhi dje në mesditë, por fatmirësisht nuk pati njerëz të lënduar, pasi në atë kohë po laheshin qytetarë në liqe.
Një granatë dore dyshohet se u hodh aty rreth orës 14:30, ku u dëmtuan dy vetura, njëra me targa vendore e tjetra me targa amerikane.
Zëdhënsi i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për Reporteri.net se shpërthimi ka ndodhur pasi të kalohet tuneli i 5-të në anën e majtë, dhe rrethanat se si ka ardhë deri të shpërthimi nuk dihen.
Elashani ka konfirmuar se Policia ka identifikuar një të dyshuar dhe ka bastis një shtëpi në Zubin Potok, por nuk ka arrestuar ende asnjë person.
“Në vazhden e hetimeve në lidhje me rastin shpërthimit në afërsi të Ujmanit, Policia rreth orës 21.00 ka bastisur një shtëpi në zonën e zubin potokut. Gjatë bastisjes policia ka has dhe ka sekuestruar në mes tjerash edhe 3 radiolidhje dhe një veturë. Nuk kemi persona të arrestuar, ndërsa policia ka identifiku një person i cili për neve është me interes për intervistim”, ka thënë Elshani për Reporteri.net.
Për shpërthimin në liqenin e Ujmanit ka reaguar kryeministri Albin Kurti i cili përmes një postimi në Facebook ka shkruar se institucionet e sigurisë, do të zbulojnë aktorin apo aktorët e këtij sulmi kriminal dhe do t’i sjellin para drejtësisë.
Kryeministri tutje thotë se Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë.
“Sipas informatave të Policisë së Kosovës, sot rreth orës 14:30 në vendin e quajtur “Te tuneli i pestë”, në rrugën magjistrale te liqeni i Ujmanit, nga një apo më shumë persona të panjohur është hedhur një granatë dore me ç’rast dy vetura të parkuara, njëra me targa vendore dhe tjetra me targa amerikane, janë dëmtuar. Njësitë policore relevante janë në vend të ngjarjes dhe po hetojnë rastin. Serbisë dhe qarqeve të caktuara mike me të, nuk iu levërdis normaliteti i krijuar në atë pjesë të vendit tonë. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale, pak a shumë të lidhur me të, kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën për më shumë se dy dekada që nga çlirimi i Kosovës. Kjë është e dhimbshme për ta dhe vështirë e pranueshme. Por, rrugë tjetër nuk ka. Sundimi i ligjit dhe rendi publik, siguria dhe paqja, janë vlera themeltare dhe interes i përbashkët i shoqërisë dhe qytetarëve bashkë me shtetin e Kosovës”.
“Patjetër që institucionet e sigurisë, marrë për bazë profesionalizmin bashkëkohor dhe vullnetin e palëkundur, do të zbulojnë aktorin apo aktorët e këtij sulmi kriminal dhe do t’i sjellin para drejtësisë. Kjo pjesë, ashtu si të gjitha tjerat të vendit tonë, me potencialin dhe bukuritë e saj do të përdoret nga të gjithë qytetarët pa dallim”, ka thënë kryeministri Kurti. /Reporteri.net/