Gjykata Themelore në Ferizaj sot do të shpall aktgjykimin ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmanit, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Seanca gjyqësore do të nis në orën 11:00.

Krivaqa akuzohet se ka kryer veprat penale ‘Dhunimi’ dhe në bashkëkryerje ‘Vrasje e rëndë’, ndërsa Sejdiu është i akuzuar për shkak të veprave penale në bashkëkryerje ‘Vrasje e rëndë’ dhe ‘Ndihmë në kryerjen e veprës penale të dhunimit’.

“Ju njoftojmë se të hënën, më 29 korrik 2024, duke filluar nga ora 11:00, vazhdon seanca gjyqësore me shpalljen e aktgjykimit në çështjen penale kundër të pandehurit D.K., i akuzuar për shkak të veprave penale ‘Dhunimi’, nga Neni 227, paragrafi 4, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe veprës penale në bashkëkryerje ‘Vrasja e rëndë’, nga Neni 173, paragrafi 1, nënparagrafët 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me Nenin 31 të KPRK-së, si dhe të pandehurit A.S., i akuzuar për shkak të veprave penale në bashkëkryerje ‘Vrasja e rëndë’, nga Neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me Nenin 31 të KPRK-së dhe veprën penale ‘Ndihma në kryerjen e veprës penale të dhunimit’, nga Neni 227, paragrafi 4, nënparagrafi 4.1, lidhur me paragrafin 1, lidhur me Nenin 28 të KPRK-së”, njoftoi Gjykata javën e shkuar.

Kujtojmë që Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim këtë rast, duke anuluar aktgjykimin e shkallës së parë përmes së cilit Krivaqa ishte dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Arbër Sejdiut I ishin shqiptuar 15 vjet burgim.