Shkruan: Jusuf Zimeri
Transmetohet se Ebu Bekri r.a. ka thënë: “Nëse njerëzit shohin një zullumqar dhe nuk e godasin atë, Allahu do t’i godasë ata me dënim”, kurse Eruditi i madh Islam Ebi Hamid El Gazali thotë: “Zullumqar nuk është vetëm ai që bënë zullum, porse zullumqarë janë edhe ata që e shohin zullumqarin duke bërë zullum dhe, nuk e ndalojnë”.
Pastërtia e figurës (integriteti i individit), transparenca dhe llogaridhënia janë faktorë thelbësor për të siguruar funksionimin e sistemit në mënyrë të drejtë, të shëndoshë dhe të kujdesshme. Shumë kush mendon se, këto faktorë (Pastërtia e figurës, transparenca dhe llogaridhënia) si koncepte janë të lindura me mjediset e shoqërive bashkëkohore, madje dikush mendon se këto vlera, kanë lindur me pushtetin e tij, por në realitet këto vlera si preventivë për funksionim të sistemit, janë përcaktuar shekuj më parë nga sistemi juridik islam.
Edhe studimet bashkëkohore nga institucionet e ndryshme, vetëm se vërtetojnë faktin, se pastërtia e figurës, transparenca dhe llogaridhënia, është ilaçi më efikas kundër fenomenit shkatërrues i quajtur keqpërdorim dhe korrupsion. Pra, thënë shkurt e qartë, aty ku nuk funksionojnë këto vlera, lulëzon keqpërdorimi korrupsioni. Në anën tjetër, krahas teorisë, edhe përvoja ka dëshmuar se, sa më e lartë të jetë papastërtia e personalitetit, diskreditimi i tij, aq më e madhe është pasiguria dhe frika, andaj edhe ndihet nevojë konstante për sigurimin e tij. Për këtë arsye, historia thotë se udhëheqësit tiranë për shkak padrejtësisë, jotransparencës, shantazhimit, jollogaridhënies dhe krimeve që i bëjnë, kanë nevojë më të madhe të rritjes së nivelit të sigurisë së tyre!.
Andaj, nëse i marrim këto shpjegime dhe i konvertojmë në realitetin tonë pragmatik, dhe t’i bëjmë një analizë qoftë edhe sipërfaqësore funksionimit të institucionit tonë të quajtur BFI, lehtësisht vërehet, se këto vlera po treten nga dita në ditë.
Pika e dytë (2) të Neni tetë (8) të Kushtetutës së BFI-së thekson se, BFI veprimtarin e vet e mbështetë në “transparencë”!. Nocioni “transparencë” në aspektin gjuhësor nënkupton: tejdukshmëri, qartësi, kurse transparenca si koncept i referohet qartësisë dhe integritetit në fusha të ndryshme të punës, veçanërisht në ato administrative, në mënyrë që informacioni natyrshëm të jetë i disponuar te të interesuarit. Pra, transparenca përveç si vlerë juridike, konsiderohet edhe si vlerë morale dhe shpirtërore, që buron nga ndershmëria, drejtësia, besueshmëria dhe sinqeriteti. Ajo nënkupton eliminimin dhe heqjen e çdo dyshimi, mashtrimi apo paqartësie dhe zëvendësimin e tij me parimin e qartësisë, i cili u jep qytetarëve të drejtën të njohin informacionin dhe të shikojnë të dhënat në lidhje me procesin e vendimmarrjes dhe zhvillimin e politikave dhe legjislacionit.
Mirëpo, Nocionin transparencë Shaqir Fetai “Orao”, nuk është që nuk e kupton, porse, megalomania dhe egoizmi i tij, ja kanë verbuar mendjen, prandaj dukshëm tenton që këtë vlerë islame ta transformojë nga realiteti i saj, në rregulla dhe disiplina që i duhen atij. Ai ka për qejfi që, në retorikën e tij rregullisht të përmend fjalën “transparencë”, porse të njëjtën nuk e ka aspak për qejfi në praktikë. Kjo vërtetohet thjeshtë me vetë faktin, se ai tjetër thotë dhe tjetër vepron!. Kjo ndodh për shkak se Enanija e juaj, ju bënë që veten tuaj ta konsideroni superior ndaj të tjerëve, dhe të tjerët nuk ekzistojnë!. Prandaj ju përkujtoj kushdo, që nuk e mban nën kontroll egoizmin e tij, rezulton të kultivojë arrogancë, “e arroganca dhe mendjemadhësia si cilësi djallëzore dhe satanike përfundojnë me mallkimin e Zotit, kurrë nuk zbresin nga kali ku kanë hipur, por, gjithmonë rrëzohen andej” do të thoshte Quevedo.
Transparenca Shaqo, nuk ka asgjë të përbashkët me këmbënguljen e njëmendësisë suaj, të cilën po e kultivoni ju dhe po përdhunoni institucionin e BFI-së.
Transparenca Shaqo nënkupton, zbardhje, dukje, reflektim të veprimit institucional, jo mbyllje dhe errësim, jo censurim dhe ngufatje e mendimit tjetër që nuk ju pëlqen juve.
Transparencë Shaqo, është të informosh myslimanët e vendit, pse në radhët e BFI-së, nën organizimin tuaj po vlon nepotizmi familjarizmi, duke filluar nga ju?.
Transparencë Shaqo është, të raportosh para organeve dhe mbarë popullatës islame, pse me bekimin, madje me urdhrin tuaj shkelni normat islame, e të mos flasim për normat juridike e kushtetuese të BFI-së.
Transparencë Shaqo është t’i shpjegoni myslimanëve pse për thuajse katër vjet, nuk lejoni ndryshime kushtetuese në BFI, meqë ju keni ardhur në post me premtimin për ndryshime kushtetuese.
Transparencë Shaqo është t’i shpjegoni myslimanëve pse për thuajse katër vjet të qëndrimit tuaj në krye të institucionit nuk keni formuar asnjë organ kushtetues të BFI-së dhe nuk keni miratuar asnjë akt normativ.
Transparencë Shaqo nuk është që të dalësh në opinion dhe të tregosh myslimanëve se numri i hanxhinjve për këtë vit ishte kaq, por transparencë është të tregoni: Sa haxhilerë miq tuaj kanë shkuar në haxh në kurriz të pagesës së hanxhinjve, dhe cili është kriteri për këtë kategori të hanxhinjve?
Transparencë Shaqo është t’i tregosh myslimanëve, sa lekë ngelin për BFI dhe për mirëmbajtjen e institucioneve, dhe mirë që ngelin sepse askush nuk është kundër, por transparenca duhet të jetë në nivel dhe ku shpenzohen ato lekë?
Transparencë Shaqo është që “DOSJEN” famëkeqe të krimit, që ju e ruani në kabinetin tuaj, e një kopje edhe në shtëpinë tuaj (sipas jush), fillimisht t’ia shpalosni myslimanëve dhe më pas ta dorëzoni atje ku e ka vendin, e jo të manipuloni dhe shantazhoni nëpunësit fetar duke thënë: “e shihni këtë dosje, për të gjithë ju kam të dhëna”. Kjo është shkollë komuniste, është praktik e organeve ku ju paskeni punuar me vite, e që s’ka të bëjë aspak me realitetin islam. Madje, kjo është edhe më shumë se transparencë, është detyrim islam, sepse koncepti juridik islam është i qartë “Pjesëmarrja në krim, është krim”.
Transparencë i nderuar është t’i tregosh myslimanëve kush tjetërsoi dhe shkatërroi dokumentacionin e BFI dhe pse ?!
Transparencë është t’u shpjegosh muslimanëve ku vajtën milionat e denacionalizimit, çka keni bërë me ato lekë dhe ku keni themeluar vakëfe të reja!?
Transparencë i nderuar është të bëni pastërtinë e figurës së çdo nëpunësi fetar në radhët e BFI-së, duke filluar nga ju, si në aspektin meritokratik ashtu edhe në aspektin financiarë, ashtu si e kishte bërë H. Omeri r.a. gjatë kohës së sundimit të tij.
Ka edhe shumë pse-ja, por çështja është që ta mësoni mendjen tuaj të punojë për e jo kundër jush, për myslimanët e jo kundër myslimanëve.