Komisioneri Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka deklaruar se rrugët evropiane për Kosovën dhe Serbinë kalojnë nëpërmjet dialogut.
Në konferencën e Komisioneve Parlamentare për Çështje të Bashkimit Evropian në Budapest, Varhelyi i ka bërë thirrje Kosovës që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ai është shprehur se pret që palët t’i vazhdojnë përpjekjet për depërshkallëzim dhe përparim në zbatimin e obligimeve.
“Është e qartë se rrugët evropiane të Serbisë dhe Kosovës kalojnë nëpërmjet dialogut. Presim që palët t’i vazhdojnë përpjekjet e vazhdueshme për depërshkallëzim dhe përparim në zbatimin e obligimeve të tyre, në kuadër të dialogut, duke nisur me dërgimin e draftstatutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, citohet ai në njoftimin e Komisionit Evropian.
Varhelyi ka shtuar se Bashkimi Evropian është i angazhuar për zgjerim dhe përfshirje të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Deri më tani, për themelimin e Asociacionit janë prezantuar disa draft-statute.
Në fund të janarit të vitit 2023, FES-i publikoi një draft-statut për themelimin e Asociacionit në përputhje me Kushtetutën dhe sistemin juridik të Kosovës, ashtu siç insiston edhe Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.
Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i prezantoi palëve një draft-statut për Asociacionin, i cili u pranua në parim.
Po vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për normalizimin e raporteve, që parasheh edhe sigurimin e një niveli të vetëmenaxhimit të komunitetit serb dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog.
Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015.
Por, Gjykata Kushtetuese tha më 2015 se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.
Megjithatë, Kosova deri më tani nuk kishte ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij.
Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.