Ish-raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola Von Crammon, nuk do që litiumi i Serbisë të shkojë në favor të pushtetit të presidentit serb, Alleksandar Vuçiq.
Në një reagim të saj në platformën X, duke komentuar vizitën e kancelarit gjerman Olaf Scholz në Beograd, tha se BE-ja vërtet ka nevojë për litium, por jo në këtë formë.
“Se BE-ja ka nevojë për litium dhe të kalojë në e-mobilitet, është e padiskutueshme. Unë do të kisha preferuar zgjidhje të tjera se sa këtë fitim në pushtet për Aleksandar Vuçiqin. Sundimi i ligjit dhe demokracia janë fjalë të huaja për Vuçiqin. Media pothuajse tërësisht nën kontrollin e tij”, tha Cramon.
Kancelari Scholz sot po qëndron në Beograd për të nënshkruar një marrëveshje për mbi lëndët e para kritike.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke u përgatitur t’ia japë Rio Tintos dritën jeshile për ndërtimin e minierës më të madhe të litiumit në Evropë, dy vjet pasi Beogradi e anuloi projektin, raportoi të dielën Financial Times.
Vuçiq tha për gazetën se “garanci të reja” nga gjiganti botëror i minierave dhe nga Bashkimi Evropian duket se do t’i adresojnë shqetësimet e Serbisë, nëse standardet e nevojshme mjedisore do të plotësohen në luginën perëndimore të Jadarit.
Rio Tinto tha në një komunikatë për Reuters: “Ne besojmë se Projekti Jadar ka mundësi për t’u bërë aset i klasit botëror, i cili mund të shërbejë si katalizator për zhvillimin e zinxhirit të EV [veturave elektrike] në Serbi”.
I cilësuar si material kritik nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, litiumi përdoret për bateritë e automjeteve elektrike dhe celularëve.
Vuçiq tha se miniera mund të hapet më 2028, duke shtuar se ajo parashikohet t’i prodhojë 58.000 tonë litium në vit, gjë që do të “mjaftonte për 17 për qind të prodhimit të EV-së në Evropë – 1.1 milion vetura përafërsisht”.