Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka ironizuar me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti për minatorët.

Duke iu referuar deklaratës së Kurtit, ajo ka vlerësuar se në këtë qeveri ka tepër shumë të emëruar politik për punët e pakta që po kryhen mbi tokë.

“Deklaratë më e saktë do të ishte kjo: Duket se ka tepër shumë të emëruar politik në këtë Qeveri, për punët e pakta që po shihen mbi tokë!”, ka shkruar Deliu-Kodra në profilin e saj në “Facebook”.

Qeveria e Kosovës mori vendim për ndarjen e 4 milionë eurove për mbështetje të Trepçës.

Por, në adresimin e tij me rastin e marrjes së këtij vendimi, Kurti kritikoi Trepçën duke thënë se nuk po nxjerrin mjaftueshëm xehe nga nëntoka, teksa ka punëtorë shumë.

“Në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur që të sigurojë pagat nga xehja e nxjerrë. Duket se ka tepër shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, ka thënë ai.