Rritet numri i të sëmurëve me Kovid, ndërkohë po afrohet fillimi i vitit të ri shkollor. Sipas informatave të fundit të Institutit për Shëndet Publik, për çdo ditë regjistrohen rreth 30 raste të reja. Por, për këtë variant të ri të Kovidit, autoritetet nuk lënë vend për panik, për shkak se nuk manifestohet pasqyrë e rëndë klinike. Nuk duhet të druhemi as nga fillimi i vitit të ri shkollor.
“Këtë vit nuk mundet që të parashikojmë me saktësi si do të jetë situata. Kemi variante të reja që kanë potencial të anashkalojë imunitetin dhe të zhvillojnë simptome, por kjo nuk nënkupton se në shtator do të kemi rritje drastike të numrave. Ajo që duhet të kemi kujdes, sidomos gjatë muajve të vjeshtës kur duhet të bëhet parandalim, sidomos me vaksinim kundër gripit, të sigurojmë sasi të mjaftueshme të vaksinave që do të mundësojnë vaksinimin e qytetarëve të rrezikuar që kanë potencial që të zhvillojnë forma më të rënda të sëmundjes.”, – deklaroi zëdhënësi i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, Zllate Memedoviq.
Taravari: Kemi siguruar 11 mijë vaksina anti-kovid
Ndërkohë ministri i Shëndetësisë, Taravari, paralajmëron sigurimin e 11 mijë vaksinave për Kovid 19 javën e ardhshme.
“Së shpejti vjen një donacion prej 11 mijë vaksinave kundër Kovidit, që duhet të mbërrijnë këto 10 ditë, ndërsa për vaksinat tjera në realizim e sipër po bëhet furnizimi nga Komisioni Evropian për vendet e BE-së, ku në atë pako është edhe Maqedonia dhe sa kam informacione procedura është në fazën finale.”, – theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
Mjekët rekomandojnë që vaksinat t’i marrë grupmosha më e vjetër duke filluar nga 65 vjet dhe të sëmurët kronikë.