Deputeti kosovar në Parlamentin e Landit të Bavarisë së Epërme, Deli Balidemaj, ka folur rreth temës së hapjes së Urës së Ibrit.Balidemaj tha se “Është momenti i fundit që të hapet Ura e Ibrit!”.
Ai pati kritika për faktorin ndërkombëtar.

“Disa pikëpamje të bashkësisë ndërkombëtare, të disa politikanëve, nuk i ofrojnë qetësi respektivisht nuk i ofrojnë bashkëjetesë qytetarëve të Kosovës. Mos të them se janë dashakeqëse”, tha ai në Klan Kosova.
Dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ripërsëritur se hapja e Urës së Ibrit nuk është kundër askujt.Kurti në fjalën e tij hapëse në mbledhjen e qeverisë ka thënë se lidhur me hapjen e saj ka biseduar edhe në takimin e djeshëm me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, dhe u shpreh se do të vazhdojë konsultimet dhe koordinimet me partnerët, njofton Klankosova
“Hapjen e Urës së Ibrit e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit dhe të qëndrueshmërisë së urës. Rezultatet përkatëse të këtyre raporteve të cilin e kemi ndarë dje edhe me komandantin e KFOR-it dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm që kemi. Qeveria dhe unë si kryeministër besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë, si dhe paqja e siguria në anën tjetër, janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë, shtetin, qytetarët dhe komunitetet”, tha Kurti.“Ne do të vazhdojmë konsultimet dhe koordinimin me partnerët tanë. Hapja e Urës nuk është kundër askujt e aq më pak kundër partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, pra të hapura”, tha kreu i qeverisë.