Efektivi Erjon Goxhara ka plagosur me armë zjarri 45-vjeçarin Lorenc Kosta në Tiranë.
Ngjarja ndodhi pasditen e sotme në Komunën e Parisit.
Si motiv i ngjarjes dyshohet se i plagosuri i ka ngacmuar partneren autorit të dyshuar, policit Goxhara.
Ky i fundit është punonjës policie me detyrë në Rinas.
Lidhur me ngjarjen policia e Tiranës doli me një reagim zyrtar.
“Më datë 19.08.2024, rreth orës 14:07, në afërsi të një marketi te rrethrrotullimi i Komunës së Parisit, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi E. G., (punonjës Policie) ka plagosur me armë zjarri shtetasin L. K., 45 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftim.
Goxhara, pas ngjarjes është arratisur dhe ende nuk është arrestuar nga uniformat blu.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë po punon për kapjen e autorit të dyshuar dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.