Përmes një komunikate për media “EUROPOL” ka treguar se më 4 gusht në Prishtinë është arrestuar një punëtor i Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut (34 vjeç), i dyshuar për prodhimin e monedhave 2 euro false përgjatë dy viteve të fundit.

EUROPOL tregon se arrestimi i tij ka ardhur pas një planifikimi të përpiktë disa mujor nga autoritetet kosovare dhe maqedonase me përkrahjen e “EUROPOL” dhe “Eurojust”, shkruan Gazeta Express.

Në Maqedoni të Veriut janë kontrolluar disa lokacione, ku janë sekuestruar aparatura për prodhimin e valutës së falsifikuar dhe mijëra monedha të montuara.

“Personi i arrestuar është identifikuar si punonjës i MPB-së në Maqedoninë e Veriut. Autoritetet u njoftuan për aktivitetet e të dyshuarit përmes një përpjekjeje të koordinuar për shkëmbimin e inteligjencës”, thuhet në njoftim.

Për arrestimin e tij, EUROPOL tregon se ishte themeluar një ekip i përbashkët hetimor, mes Prokuororisë Speciale të Republikë së Kosovës dhe Prokuorirsë Themelore në Shkup, me përkrahjen e Eurojust.

“Aktivitetet hetimore të kryera janë mbështetur nga Policia e Kosovës, Qendra Hetimore e Prokurorisë Publike Shkup dhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut. Mbështetja e Europolit ishte e rëndësishme në këtë operacion, duke ofruar analiza kritike të inteligjencës, koordinim operacional dhe asistencë teknike për të siguruar kapjen e suksesshme të të dyshuarit”, thekson komunikata.

Europol njofton se monedhat e sekuestruara gjatë kontrollit do të ekzaminohen më tej, duke i krahasuar me monedha të tjera tashmë të tërhequra nga qarkullimi për të vlerësuar shkallën reale të prodhimit.

 

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume