Qeveria e Republikës së Kosovës ka ka thënë se nuk ka mjete të mjaftueshme për të siguruar mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të punonjësve të ndërmarrjes Trepça, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Përmes një komunikate për media, nga Zyra e Kryeministrit thotë se pavarësisht përkrahjes financiare me 3.3 milionë euro subvencione nga Ministria e Ekonomisë, ndërmarrja ka operuar me humbje si rezultat i ngecjeve në prodhim dhe të hyrave të pamjaftueshme.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të përkrahur ndërmarrjen Trepça Sh.A., si dhe të gjitha ndërmarrjet tjera publike. Përkrahja nënkupton mbështetje për zhvillim dhe rritje të potencialit të plotë ekonomik.
“Pavarësisht mbështetjes që Qeveria i ka dhënë gjatë gjysmës së parë të këtij viti, ndërmarrja Trepça Sh.A. ka operuar me humbje si rezultat i ngecjeve në prodhim dhe të hyrave të pamjaftueshme. Ministria e Ekonomisë ka përkrahur ndërmarrjen me subvencione në vlerë prej 3.3 milionë euro, që është përtej shumës së planifikuar për të gjithë vitin.
Megjithatë, këto mjete nuk u kanë mjaftuar për të siguruar mbulimin e shpenzimeve operative dhe pagave të punonjësve, që përbëjnë pjesën e konsiderueshme të shpenzimeve të ndërmarrjes”, thuhet në komunikatë.
Më tej Qeveria thotë se pret nga Trepça të sigurojë rritje të prodhimit e të hyrave dhe ulje te shpenzimeve, si mënyrën e vetme për të arritur stabilizim të gjendjes operative dhe financiare të ndërmarrjes dhe kompensim të rregullt të punonjësve në mënyrë të qëndrueshme.
“Në veçanti, Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga ndërmarrja që të sigurojë
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet në komunikim të vazhdueshëm me Bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes. Sigurojmë se të gjitha palët janë të angazhuara maksimalisht për një zgjidhje afatgjatë, në përputhje me kompetencat ligjore dhe përgjegjësitë e tyre”, vijon më tej komunikata.
Po ashtu, nga Zyra e Kurtit thonë se Qeveria është duke trajtuar planin e propozuar nga ndërmarrja Trepça dhe përkrahja financiare varet nga plani dhe zotimi konkret që do të ulen shpenzimet dhe do të rifillojë rritja e prodhimit.
“Ne jemi të bindur se me një bashkëpunim të ngushtë dhe përkushtim të përbashkët, mund të arrihen përmirësime të ndjeshme dhe rezultate pozitive për ndërmarrjen Trepça dhe për të gjithë punonjësit e saj. Nuk ekziston asnjë rrugë tjetër përpos punës dhe angazhimit intensiv, rregullit, kontrollit dhe drejtimit të përgjegjshëm të ndërmarrjes për sukses”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Të hënën e 29 korrikut, në një reagim publik, nga Sindikata thanë se interesimi për fatin e minierës dhe minatorëve nga Qeveria dhe Bordi i Ndërmarrjes, janë në nivelin zero, teksa janë shprehur se ata kanë vetëm fjalë boshe.
“Tani që ndodhemi në fundin e muajit Korrik, minatorët ende nuk i kanë marrë as pagen e muajit Qershor! Interesimi për fatin e minierës dhe minatorëve nga qeveria, ministria dhe bordi i ndërmarrjes janë në nivelin zero. Vullneti i tyre për prosperitetin e kësaj ndërmarrje dhe premtimi për ditë të mira në ndërmarrjen Trepca SH.A., janë vetem fjalë boshe dhe asgje tjeter”, thuhej në reagim.