Përgjegjësia për arratisjen e Blerim Ramadanit nga arresti shtëpiak duhet të kërkohet në institucionin që ka kryer mbikëqyrjen, thonë nga Gjykata Penale. Në këtë rast kjo është MPB-ja. Gjykata përmes një kumtese ka arsyetuar vendimin e gjyqtarit Pajazit Pajaziti për t’i shqiptuar Ramadanit arrest shtëpiak.
Nga Gjykata shtojnë se Pajaziti gjatë sjelljes së vendimit për paraburgim shtëpiak i ka marrë parasysh faktet se në raste identike janë sjellë aktgjykime se nuk janë plotësuar kushtet për ekstradim.
Nga Gjykata kërkuan që rasti të mos përdoret për përplasje politike. Megjithatë, VMRO-DPMNE kërkon shkarkim të gjykatësit Pajaziti, ndërsa nga koalicioni VLEN ende nuk kanë qëndrim.
Reagoi edhe BDI. Prej atje thonë se Qeveria nuk ka guxim që të kërkojë shkarkimin e një gjykatësi, andaj fshihet prapa VMRO-DPMNE-së.
Këshilli Gjyqësor kohë më parë në seancë të jashtëzakonshme formoi komision special që do ta shqyrtojë veprimin e gjykatësit Pajazit Pajaziti i cili solli vendim që ish pjesëtari i UÇK-së Blerim Ramadani në paraburgim shtëpiak ta presë vendimin për ekstradimin e tij eventual në Serbi.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Pajazit Pajaziti nga Gjykata Penale në Shkup, e kishte zhvendosur Ramadanin nga paraburgimi në burg shtëpiak në adresën e familjarëve/shokëve të Ramadanit.
Më 9 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, kishte njoftuar se Paneli i Gjykatës Themelore Penale në Shkup ka marrë vendim që ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani të mos ekstradohet në Serbi.
Ramadani u arrestua më 17 korrik 2024, në pikëkalimin kufitar Jazhincë/Glloboqicë.