Një gjykatës amerikan vendosi se kompania Google ka shkelur ligjin, pasi ka shpenzuar miliarda dollarë për të krijuar një monopol të paligjshëm dhe është bërë motori kryesor i kërkimeve në botë.
Kjo është fitorja e parë e madhe e autoriteteve federale kundër dominimit të tregut nga kompanitë e mëdha të teknologjisë.
Vendimi i hap rrugën mbajtjes së gjykimit të dytë për të përcaktuar për mënyrat se si mund të përmirësohet kjo çështje, përfshirë ndarjen e Alphabet nga Google, që do të ndryshonte peizazhin në botën e reklamimit online, që Google e ka dominuar për vite të tëra.
Vendimi i gjykatësit, Amit Mehta, po ashtu i jep dritën e gjelbër zbatimit më të fuqishëm të ligjit nga SHBA-ja kundër kompanive të mëdha të teknologjisë.
“Gjykata ka ardhur në këtë përfundim: Google është monopolist, ka vepruar si një për të mbajtur monopolin”, tha Mehta në vendim.
Në vendimin e gjykatësit të qarkut në Uashington u tha se Google kontrollon rreth 90 për qind të tregut të kërkimeve online dhe 95 për qind të kërkimeve që bëhen përmes telefonave të mençur.
Faza e “zgjidhjes” mund të jetë e gjatë, pasi ka mundësi që të dërgohen apele në Gjykatën e Apelit në qakun e Kolombias, por edhe në Gjykatën Supreme. Ky proces ligjor mund të zgjasë gjithë vitin e ardhshëm, e madje edhe në vitin 2026.
Aksionet në Alphabet ranë për 4.5 për qind të hënën, pas rënies së aksioneve të shumë kompanive të teknologjisë. Reklamimi i kompanisë Google në Alhpabet përbënte 77 për qind të shitjeve të përgjithshme në vitin 2023.
Alphabet tha se planifikon të apelojë vendimin e gjykatësit Mehta.