Haradinaj: Koha do ta dëshmojë agjendën e Kurtit, askush nuk mund ta rrezikojë aleancën e Kosovës me Amerikën

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se vizita e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, Burns në Kosovë, është nder i madh për Kosovën dhe lajm i mirë për sigurinë tonë.
“Për ne, është jetike integrimi në familjen euroatlantike, dhe aleanca me Amerikën është e përjetshme, shkruan Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se edhe takimet e shefit të CIA-s me krerët e shtetit janë lajm i mirë.
Ai ka përmendur edhe kryeministrin Kurti, duke thënë se koha do ta dëshmojë “agjendën e tij”.
“Institucionet e Kosovës duhet të qëndrojnë të palëkundura për aleancën me Amerikën. Takimet e drejtorit z. Burns me udhëheqësit e institucioneve, janë lajm i mirë për Kosovën. Sa i përket Kurtit dhe agjendës së tij, i’a lëmë kohës ta dëshmojë, por askush nuk mund ta rrezikojë aleancën e Kosovës me Amerikën. Ajo është e përjetshme dhe jetike”, shkruan Haradinaj.
Burns qëndroi edhe sot në Kosovë, ku në orët e mëngjesit është takuar me kryeministrin Kurti, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ky takim i cili zgjati diku një orë nuk ishte paralajmëruar paraprakisht. Vizita është zhvilluar me masa të rrepta të sigurisë.
Burns zbarkoi në Prishtinë mesditën e së enjtes, për t’u takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
As takimi mes tyre nuk ishte paralajmëruar nga zyra e Osmanit.
Në Prishtinë, Burns arriti pas vizitës në Beograd, për të cilën atje nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar.
Të martën Burns ishte në Sarajevë për takime me zyrtarë politikë dhe të agjencive të sigurisë, në një vizitë gjatë së cilës, sipas një zyrtari të qeverisë amerikane, u diskutua lidhur me retorikën përçarëse dhe veprimet e presidentit pro rus të Republikës Serbe, Milorad Dodik.