Gresa Bakraqi i dha fund garimit të sportistëve kosovarë në Lojërat Olimpike të Parisit.

Atletja kosovare garoi mbrëmë në vrapim 800 metra, duke përfunduar e fundit.

Ndërsa sot, ajo e pati edhe një mundësi tjetër, por që u diskualifikua për shkelje të korsisë.

Sot gjatë paradites garoi edhe Hana Beiqi, e cila e mbylli garimin si e fundit në grupin e saj. Në përgjithësi, ajo u rendit e 43-ta, duke lënë pas vetes 36 garuese.

Në përgjithësi, ekipi kosovar kthehet nga kjo Olimpiadë me dy medalje, të dyja nga sporti i xhudos.

Distria Krasniqi e fitoi medaljen e argjendtë, kurse Laura Fazliu të bronztën.

Më së afërmi për medalje ishte Akil Gjakova, që u mposht në gjysmëfinale, e më pas edhe në garë për të bronztën.

Loriana Kuka u eliminua në raundin e dytë, kurse kampionia olimpike, Nora Gjakova në raundin e parë.

Boksieria, Donjeta Sadiku u eliminua në rrethin e dytë, kurse Adell Shaboviq nuk arriti kualifikimin në gjysmëfinale në not.

Nga tri Lojërat Olimpike që sportistët kosovarë marrin pjesë, Kosova ka arritur pesë medalje, tri të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë dhe që të gjitha vijnë nga sporti i xhudos.

Në vitin 2016 në Rio, Majlinda Kelmendi i solli Kosovës medaljen e artë olimpike në pjesëmarrjen e parë të shtetit tonë në Olimpiadë.

Në vitin 2021 në Tokio, atë që e nisi Majlinda, e vazhduan Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, që fituan medalje të arta në Lojërat Olimpike.

E këtë vit në Paris, Distria Krasniqi e fitoi medaljen e dytë olimpike, këtë herë të argjendtë, kurse Laura Fazliu në debutimin e saj në Olimpiadë e fitoi medaljen e bronztë.