Shkruan: Florim Zeqa

Megaskandali i kriminalizuar me veteranët mashtrues e të rrejshëm të luftës çlirimtare është dëshmia e pamohueshme se disa nga ish-komandantët e papërgjegjshëm të luftës çlirimtare, të cilët janë vetë kupola e grupeve të interesit që kanë abuzuar ligjin dhe buxhetin e shtetit për afro 25 njëzet vjet rresht.

Libreza e veteranit i bëri bashkë pacifistët dhe çlirimtarët

Edhe përkundër fakteve të pamohueshme dhe akuzës së ngritur në rokurori ndaj disa eksponentëve të UÇK-së dhe jo vetëm, për mashtrimet kriminale me lista të veteranëve, ku ende nuk është dënuar asnjëri prej tyre, shkaku i interferimit në punën e Prokurorisë së Shtetit nga ish-komandantët dhe të fortët e politikës pacifiste.

Situata e krijuar tregon pamundësinë e ushtrimit të funksionit në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale, gjë që i detyron prokurorët me integritet profesional të tërhiqen!

Në fakt, hezitimi dhe tërheqja e prokurorëve nga kjo lëndë e ndjeshme tregon për dështimin e sistemit prokurorial për të mbajtur në radhët e veta prokurorë të guximshëm dhe me integritet, të cilët janë të gatshëm të përballen me sfidat që prodhon veteranomania në Kosovë.

Veteranët mashtrues janë një armatë e blerë me para të popullit, për vota të partive të kriminalizuara në pushtet dhe opozitë për disa mandate rresht, dukuri e cila është prezente edhe në ditët e sotme.

Lakmia për t’u pajisur me librezën e veteranit mashtrues nuk i kurseu as “pacifistët”, të cilët ditën çirren e shtirren se janë rugovistë, kurse natën bashkohen në ahengje me komandantët e zonave operative, prej të cilëve janë pajisur me çertifikatën e veteranit mashtrues!

Kontingjenti më i madh i veteranëve të rrejshëm është produkt i proceseve elektorale, gjegjësisht i blerjes së votave në këmbim të certifikatës së veteranit nga të gjitha partitë dhe politikanët me dallime të vogla dhe të papërfillshme.

Veteranomania proces i papërfunduar

Ashtu, sikurse në të gjitha proceset në Kosovën e pasluftës, duke filluar nga shpërndarja e ndihmave humanitare, tenderëve, regjistrimet në fakultete, kontrabandimi i votës së lirë të qytetarëve, lidhja e koalicioneve paszgjedhore, ndarja e posteve ministrore dhe ndërministrore, edhe ndarja dhe përzgjedhja e veteranëve të luftës kaloi nëpër të njëjtat “filtra”!

Caktimi i listave të veteranëve të luftës çlirimtare sipas përkatësisë partiake, ideologjike dhe lidhjeve familjare e ka shndërru këtë porces në një “Veteranomani” të vërtetë.

Lënja jashtë listave e veteranëve dhe ushtarëve më të spikatur, pjesmarrës në betejat më të lavdishme të luftës çlirimtare, duke i përfshirë në listat e veteranëve ata që Kosovën e lëshuan të veshur me rroba grash dhe me buzëkuq të nuseve në fytyrë dhe të atyre që s’kanë qenë asnjëherë gjatë luftës në Kosovë, të cilët pas përfundimit të luftës u kthyen si “çlirimtar”, e ka lënduar rëndë imazhin e luftëtarit të vërtetë të UÇK-së!

Lavdi dhe respekt për të gjithë çlirimtarët e vërtetë, për invalidët dhe veteranët e luftës çlirimtare që lanë gjymtyrët e trupit në fushat e betejave për çlirimin e vendit. Turp për të gjithë ata që abuzuan me statusin e veteranit-çlirimtar me medalje të dyfisht; të cilët në njërën anë e bartin stemën e pacifizmit, ndërsa në tjetrën emblemën e UÇK-së!

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nuk do të bëhet fjalë për libreza të reja të veteranëve, por do të jenë premtimet për rritjen e pagesave të veteranëve, ato që do t’i bëjnë bashkë në premtime të gjithë liderët partiakë, pa dallime pushtet dhe opozitë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume