Kryeministri Hristijan Mickoski, i shoqëruar nga ministri i Punëve të Jashtme, Timço Muçunski, pati takim me ish-drejtorin e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Richard Grenell. Nga qeveria informuan se në takim është biseduar për zhvillimet aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku u theksua rëndësia e ruajtjes së paqes, sigurisë, stabilitetit dhe thellimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet shteteve në këtë pjesë të Evropës. “Theks i veçantë u vu në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe në mundësitë për forcimin e tyre të mëtejshëm. Gjatë takimit u analizuan mundësitë për shfrytëzimin e potencialit për investime të përbashkëta në të ardhmen në projekte të rëndësishme për rajonin. Në këtë kontekst u shqyrtua mundësia e pjesëmarrjes së mundshme amerikane në projektin energjetik ‘Çebren’, i cili ka një rëndësi strategjike për pavarësinë energjetike të vendit”, thuhet në komunikatën e qeverisë, ku shtohet se kryeministri, Hristijan Mickoski, i ka shprehur mirënjohje të veçantë Grenellit për përkushtimin e tij në ndërtimin e marrëdhënieve të përgjithshme ndërmjet dy vendeve.

Kjo është hera e dytë që Mickoski takohet me Grenellin që kur është bërë kryeministër i RMV-së. Aktualisht Grenell nuk ka angazhim politik përveçse është i njohur se lobon në favor të Serbisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume