Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi është paraqitur sot në Departamentin e Hetimeve të Policisë së Kosovës për t’u intervistuar rreth deklaratave që i ka dhënë në lidhje me rastin e Astrit Deharit.

Të hënën, përmes një postimi në Facebook, Kurteshi ka bërë të ditur se është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale lidhur me deklaratat e javës kaluar për rastin e Astrit Deharit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Në postimin e bërë, Kurteshi thotë se ka pranuar thirrje nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda për marrje në pyetje me datë 20 gusht 2024.

Sipas Kurteshit, arrestimi i Astrit Deharit dhe pesë aktivistëve të LVV-së në gusht të vitit 2016, pak ditë përpara protestës kundër demarkacionit, ishte një inskenim i organizuar me qëllim për të fshehur autorët e vërtetë (të sulmit në Kuvendin e Kosovës) dhe për të penguar opozitën.

/Reporteri.net/.