Presidentja  e vendit, Vjosa Osmani ka folur për çështjen e Urës së Ibrit.

Osmani ka thënë se  se asnjëherë nuk ka pranuar ndonjë kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të mos hapet për qarkullim Ura e Ibrit.

Por, shefja e shtetit ka potencuar se Kosova nuk ka arsye që të futet në konflikt me aleatët tanë. Ajo tha se ura duhet të hapet, por duhet të përzgjidhet momenti që kur të hapet, të mbahet e tillë e të mos mbetet vetëm “sukses i momentit”.

Osmani tha se SHBA-të e duan urën të hapur, por plani i zbatimit duhet të bëhet bashkë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“E kam treguar qëndrimin tim, qëndrim i cili për më shumë se dy dekada është i njëjtë, mirëpo e kam treguar edhe njëherë më 1 gusht. Qëndrimi im mbetet i njëjtë. Ne i kemi institucionet tona të sigurisë që vazhdimisht e bëjnë vlerësimin e situatës dhe  po ashtu i kemi partnerët tanë të sigurisë, aleatët tanë.

Është krejtësisht normale, jo vetëm për Kosovën, por për çdo vend të botës ku SHBA-të apo NATO kanë rol në  mirëmbajtjen e sigurisë, sovraniteti i të cilave dhe paqja e të cilave mbrohet dhe mirëmbahet nga SHBA-të dhe ato shtete, të gjitha ato vende konsultohen dhe koordinohen me partnerët e tyre të sigurisë. Nuk është asgjë e jashtëzakonshme…për shkak se paqja e siguria është çështje globale.

“Në takimet e mia me përfaqësues të SHBA-së asnjëherë nuk është thënë se janë kundër hapjes së urës. Përkundrazi janë pro zbatimit të marrëveshjeve në Bruksel të cilat kanë paraparë hapjen e urës, por sikurse për çdo temë të sigurisë kërkojnë  dhe i luten Kosovë që ulemi bashkë, institucionet e Kosovës dhe aleatët e sigurisë dhe ta bëjmë bashkë planin e sigurisë të aleatëve dhe institucionet tona dhe në bazë të këtyre rekomandimeve të përzgjidhet momenti që çështja e urës të jetë sukses i përhershëm, jo sukses i momentit. Ajo urë nuk është dashtë me u mbyllë kurrë, ajo urë është mbyllë për arsye politike. Ura patjetër duhet të hapet, por ne duhet të sigurohemi që kur të hapet të mbahet e tillë. A është në interes të Kosovës që ne të shohim konflikt mes Policisë së Kosovës dhe ushtarit amerikan? Nuk besoj që ka shqiptarë që pajtohet me këtë. Ne nuk kemi arsye për të pasur konflikte me aleatët tanë, ata na kanë shpëtuar”, tha Osmani para mediave gjatë vizitës në Viti./Reporteri.net/