Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, palët janë pajtuar që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.
Osmani ka thënë se Kosova nuk duhet ta pyesë Serbinë për hapjen e urës brenda territorit të Kosovës, dhe nuk duhet pranuar që të diskutohet për këtë çështje në dialogun e Brukselit.
Sipas saj, deklaratat e fundit të BE-së në këtë temë janë “raciste” dhe duhet koordinuar plotësisht me Shtetet e Bashkuara në këtë drejtim.
“Sa i përket Bashkimit Evropian, deklaratat e zyrtarëve të saj janë raciste, nuk besoj se meritojnë vëmendje nga ana ime. E kundërshtoj në çdo mënyrë diskutimin e hapjes së urës në Bruksel. Nuk kemi çfarë e pyesim Serbinë”, tha ajo.
Të mërkurën, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se sugjerimet se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër, ose që ka ndryshuar pozicion në këtë temë, janë mashtruese.
“Marrja e një vendimi kundër vullnetit të njerëzve të prekur, nuk kontribuon në normalizim marrëdhëniesh. Qeverisja e mirë e kupton ndjeshmërinë e minoriteteve”, ka thënë Lajçak, duke paralajmëruar që çështja e zbatimit të marrëveshjes për urën do të diskutohet në takimin e radhës në Bruksel, por pa përmendur ndonjë datë.
Kjo urë – që ndan Mitrovicën Jugore me shumicë shqiptare me Mitrovicën Veriore me shumicë serbe – është e hapur për këmbësorët, por jo për vetura.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka paralajmëruar se nuk do të hezitojë të veprojë për t’iu përgjigjur zhvillimeve të lidhura me sigurinë.
Ushtarët italianë të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, e cila ndan shqiptarët në jug dhe serbët në veri. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ndodhen afër saj gjithashtu.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh kryenegociator i Kosovës për dialogun në Bruksel, Besnik Bislimi, ka thënë të mërkurën se çështja e hapjes së urës mbi Ibër as “nuk është vendim i njëanshëm” i Qeverisë, e as “çështje e pazgjidhur e dialogut”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka pretenduar të mërkurën se Kurti dhe Bislimi “duan vetëm konflikte të reja” dhe që nuk janë të interesuar në marrëveshje./REL