Prokuroria Themelore e Ferizajt është deklaruar lidhur me vrasjen e mbrëmshme në oborrin e një salle dasmash në Ferizaj, ku u vra një 89-vjeçar. I dyshuar është një zyrtar policor.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se ende nuk dihen motivet, por se po punojnë në koordinim me Policinë në mënyrë intensive për zbardhjen e rrethanave.
Ndaj dy të dyshuarve, Prokuroria ka thënë se do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
“Motivet lidhur me këtë rast penal ende nuk dihen dhe Prokuroria në koordinim me Policinë janë duke punuar në mënyrë intensive për zbardhjen e rrethanave të kësaj çështje penale. Po ashtu, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, brenda afatit ligjor, ndaj dy të dyshuarve do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente për shkak të dyshimit të veprave penale të lartcekura”, ka njoftuar Prokuroria.
Gjatë ditës u bë e ditur se lidhur me këtë rast është suspenduar nga detyra shefi i ndërrimit të policisë në Ferizaj.
Zëvendësdrejtori rajonal i Policisë në Ferizaj, Qazim Reka ka bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net se shefi i ndërrimit është suspenduar.
Ndër të tjera u bë e ditur se, masa e suspendimit të shefit të ndërrimit nuk u bë nga Inspektorati Policor i Kosovës por nga Policia vet.
“Po mund të ju konfirmoj që kjo ka ndodhur. Është masë e cila është ndërmarrë nga policia, është masë preventive nuk është masë se zyrtari ka marrë pjesë në rast. E kemi vlerësuar se i njëjti nuk ka monitoruar policët që ka pasur dhe kjo është kështu.”- tha Reka për Reporteri.net.
Si ndodhi vrasja
Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë detaje për vrasjen në Ferizaj, ku nga arma zyrtare e një polici mbeti i vrarë një i moshuar 89 vjeçar.
Në njoftimin e IPK-së thuhet se polici i dyshuar për vrasje, Festim Ramadani pasi e kreu vrasjen u vetëdorëzua në Polici.
“Incidenti raportohet të ketë ndodhur sot rreth orës 19:30 në fshatin Bibaj të Ferizajt në një restaurant ku ishte duke u mbajtur një ceremoni dasme. Bazuar në informacionet fillestare dyshohet se zyrtari policor i dyshuar në këtë rast kishte shkuar në këtë lokacion dhe ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës i cili si pasojë e lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë .I dyshuari në këtë rast (zyrtari policor) pas kryerjes së veprës penale është vetdorëzuar në Stacionin Policor të Ferizajt ku edhe ka dorëzuar armën zyrtare e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast”, ka njoftuar IPK.
Sipas komunikatës së Inspektoratit, i dyshuari është arrestuar (dhe suspenduar) dhe me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitet tjera policore do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe shumë veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të rrethanave të këtij incidenti të rëndë.”
Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se është arrestuar edhe një person i dytë për bashkëkryerje në vrasjen e 89-vjeçarit.
“Arrestohet edhe një i dyshuar lidhur me rastin e vrasjes në Ferizaj. Të dyshuarit të arrestuar me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë për shkak të dyshimit të për bashkëkryerje të veprës penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka konfirmuar IPK-ja.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Vjosa Baftiu ka thënë për gazetën online Reporteri.net se i vrari është i lindur në vitin 1935.
Sipas saj, i dyshuari për vrasjen, një zyrtar policor është ndaluar për 48 orë.
“Motivet ende nuk dihen”, tha Baftiu.
Siç merr vesh gazeta online Reporteri.net, polici që dyshohet se e kreu krimin i ka edhe dy vëllezër të tjerë pjesëtar të Policisë së Kosovës.