Ka rënë në prangat e policisë shqiptare një 28-vjeçar, i cili akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike.
“Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera me partnerët në Itali, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 15”, kapi në Lezhë dhe vuri në pranga shtetasin A.Ll, 28 vjeç, i lindur në Pukë”, tha policia, raporton Klankosova.tv.
Tashmë të arrestuarit, në vitin 2023 Gjykata e Bolonjës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për trafikim të narkotikëve, vepër kjo e kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Gjatë nëntorit të 2022-tës, 28-vjeçari ishte pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikimin e drogave të forta si kokainë e heroinë, nga Belgjika në Itali.
“Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Itali”, tha policia.