Shitjet e makinave po bien në Evropë, parashikimet janë të zymta edhe për vitin e ardhshëm
Kompanitë do të duhet të shesin më shumë nga automjetet elektrike tashmë mezi fitimprurëse sesa dëshirojnë realisht klientët dhe të ulin me forcë shitjet e automjeteve me motorë me djegie të brendshme shumë fitimprurëse që klientët dëshirojnë vërtet.
HSBC Global Research thotë se do të jetë problem për “Volkswagen” dhe “Renault”, por se aksionarët e BMW dhe “Volvo” mund të qetësohen, raporton Forbes Croatia. Vitin e kaluar, shitjet në Evropën Perëndimore u rritën me 13.9 për qind në 11.56 milionë automjete, duke lejuar prodhuesit e makinave dhe SUV-ve të rrisin çmimet dhe të përfitojnë më shumë.
Këto kushte të favorshme janë zhdukur gradualisht këtë vit dhe situata do të përkeqësohet edhe më shumë. Kompania e analitikës së të dhënave Global Data ka ulur pa mëshirë parashikimet e shitjeve në Evropën Perëndimore. Tre muaj më parë ata parashikonin rritje prej pak më pak se pesë për qind. Parashikimi i fundit thotë se pothuajse nuk do të ketë rritje – parashikojnë vetëm 0.2 për qind. Evropa Perëndimore përfshin pesë tregjet më të mëdha – Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Italinë dhe Spanjën.