Si lindi ideja për themelimin e KF Shkëndija nga Tetova, kush ishin ideatorët. Rrëfimi ekskluziv për Open-TV i prof. Afrim Jonuzit (VIDEO)

Në Tetovë nesër ka festë. Shkëndija e Tetovës feston 45-vjetorin e themelimit të klubit në ndeshjen kampionale ndaj Pelisterit. Pikërisht në vitin 1979 (29 gusht) në jetë kishte ardhur Shkëndija e Tetovës.
Afrim Jonuzi për Open-TV ka rrëfyer se si ka lindur dhe kush ishin ideatorët për krijimin e klubit.
“Në pranverën e vitit 1979 lindi ideja për themelimin e një klubi shqiptar në Tetovë. Iniciator dhe ideator ishin Xhemaludin Abazi dhe Shenasi Karaxhenemi. I pari ishte një ishlojtar aktiv dhe i mirënjohur në opinion dhe i dyti një njohës shumë i mirë i lojës së futbollit. Këtë ide të tyre ata Ia shpalosën Mitat Eminit, një jurist me përvojë, i cili në të njëjtën kohë ishte kryetar I Shoqatës sportive Shkëndija, sepse më para ishin themeluar klubi i volejbollit dhe I karatesë Shkëndija. Kjo ide hasi në miratim te z.Mitati dhe filluan aktivitetet rreth saj. Lajmi për hapjen e klubit mori jehonë të madhe dhe miratim nga populli. Filloi seleksionimi i lojtarëve për ekipin e parë, pasi garat fillonin në shtator, ndërkohë u themelua edhe kryesia e Shkëndijës nga njerëz intelektual dhe me autoritet. Kryetar i Shkëndijës, i pari në historin e klubi u emërua Ismailhaki Kuriu, kurse sekretar Ymer Reka. Anëtarë të tjerë ishin: Shinasi Karaxhenemi, Hajredin Hajredini, Mustafa Mustafai, Qemaledin Abazi. Kryetrajner u emërua Xhemaludin Abazi dhe ndihmëstrajenr Abdyrezak Rustemi-Doda, një legjendë tjetër e futbollit në Tetovë.
Çka është Shkëndija për ne dhe bashkëlojtarët e mi. Shkëndija për ne është plagë, dhimbje por edhe krenari. Nga zemra ia urojmë përvjetorin Shkëndijës dhe suksese”, deklaroi për Open-TV, Afrim Jonuzi, lojtari i gjeneratës së parë të KF Shkëndija. (Open-TV)